FITIM ZEKTHI

Zgjedhjet si instrument për të vrarë politikën

Një prej qëllimeve themelore të zgjedhjeve është të shërbejnë si instrument i demokracisë. Vetë zgjedhjet nuk janë një qëllim në vetvete, ashtu siç as demokracia nuk duhet parë si një qëllim përfundimtar në vetvete. Demokracia konsiderohet si sistemi më i mirë politik jo sepse shmang gabimet, por sepse ofron mekanizmat më të përshtatshëm për t’i korrigjuar ato.

Një prej qëllimeve themelore të zgjedhjeve është të shërbejnë si instrument i demokracisë. Vetë zgjedhjet nuk janë një qëllim në vetvete, ashtu siç as demokracia nuk duhet parë si një qëllim përfundimtar në vetvete. Demokracia konsiderohet si sistemi më i mirë politik jo sepse shmang gabimet, por sepse ofron mekanizmat më të përshtatshëm për t’i korrigjuar ato. Në një nga librat më të njohur dhe me ndikim në fushën e shkencave politike, profesori i Universitetit Yale, G. Bingham Poëell, analizon në mënyrë të detajuar dhe të kujdesshme se si zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor mund të funksionojnë si instrument i forcimit të demokracisë, por edhe si mjete që mund ta dëmtojnë atë. Ai shqyrton efektet e secilit sistem zgjedhor duke përfshirë: sistemin mazhoritar me një raund, atë proporcional rajonal, sistemin mazhoritar me dy raunde, sistemin e përzier, si dhe proporcionalin kombëtar. Poëell argumenton se nuk ekziston një sistem zgjedhor i përsosur. Zgjedhja e sistemit më të përshtatshëm duhet të varet nga konteksti specifik i një vendi – përfshirë kulturën politike, numrin e votuesve dhe strukturën shoqërore. Megjithatë, ai thekson se sistemi proporcional kombëtar me prag të ulët ka potencialin më të madh për të ofruar përfaqësim të gjerë. Ky sistem mund të përfshijë më mirë grupet dhe ndjeshmëritë e ndryshme shoqërore, por rrezikon të prodhojë qeveri të dobëta koalicioni, në të cilat marrin pjesë shumë parti, duke vështirësuar funksionimin efikas të qeverisjes. Në të kundërt, sistemi mazhoritar është më pak përfaqësues, pasi zakonisht përqendrohet te dy forca kryesore politike, duke lënë jashtë ndjeshmëritë më të vogla. Megjithatë, ky sistem ka avantazhin e krijimit të qeverive më të qëndrueshme dhe më efikase në vendimmarrje. Sistemi i përzier, që kombinon elemente nga të dyja modelet, shihet nga studiuesit Matheë Soberg Shugart dhe Martin Ëattenberg si një zgjidhje e ndërmjetme, ndonëse ata vetë pranojnë se as ky sistem nuk është ideal për çdo kontekst. Në përgjithësi, literatura politologjike pajtohet se një sistem zgjedhor, për të qenë instrument i demokracisë, duhet të përmbushë dy kushte themelore: të sigurojë përfaqësim të drejtë të shoqërisë dhe të krijojë kushtet që qeveria të ndërtojë institucione demokratike funksionale. Për më tepër, qeveria duhet të ndjejë “kërcënimin” se mund t’i humbasë zgjedhjet, ndërsa opozita duhet të ketë realisht mundësinë për të fituar pushtetin. Kjo krijon një cikël konkurrimi të ndershëm që mban gjallë dinamizmin demokratik dhe mundëson korrigjimin e gabimeve përmes rotacionit politik. Pra, sistemi zgjedhor duhet të jetë i tillë që të sigurojë një balancë të vazhdueshme mes qeverisë dhe opozitës, duke garantuar që asnjëra palë të mos e ndiejë veten të pakërcënuar dhe jashtë llogaridhënies politike. Vetëm atëherë zgjedhjet mund të funksionojnë vërtet si një instrument i demokracisë.

Zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri nuk përfaqësuan aspak një proces demokratik të vërtetë, dhe aq më pak mund të shërbenin si një instrument për të korrigjuar gabimet e mëparshme politike. Në fakt, ka shumë mundësi që zgjedhjet e 11 Majit të jenë një rast ku sistemi politik dhe partitë aktuale të thellojnë më tej gabimet ekzistuese, duke mos ofruar hapësirë për ndryshim apo përmirësim.

Filozofi francez Pierre Manent ka shkruar së fundmi se është e mundur që një vend të depolitizohet plotësisht. Sipas tij, kjo situatë ndodh në momentin kur as shumica në pushtet dhe as pakica në opozitë nuk kanë më mundësi të ndryshojnë pozicionet e tyre politike. Kjo përkthehet në një realitet ku qeveria nuk mund të humbasë zgjedhjet dhe opozita nuk mund t’i fitojë ato. Një gjendje e tillë përbën një ngërç demokratik, ku ndryshimi bëhet i pamundur dhe zgjedhjet humbasin funksionin e tyre themelor si mekanizëm demokracie llogaridhënieje. Gjithashtu zgjedhjet kthehen në një pengesë serioze edhe për çdo forcë tjetër politike apo çdo ndjeshmëri tjetër për të prishur këtë gjendje.

Në këtë prizëm, zgjedhjet e fundit në Shqipëri mund të perceptohen si një përforcim i këtij ngërçi, duke i dhënë sistemit politik një status quo që pengon zhvillimin demokratik dhe përparimin e vendit.

Krahasuar me sistemet e tjera qeverisëse politike, si aristokracia, monarkia, tirania apo oligarkia, demokracia ka vetinë  e mrekullueshme të korrigjimit të gabimit ose të problemeve. Në zgjedhje njerëzit ndëshkojnë qeverisjen, ndëshkojnë partinë në pushtet dhe drejtuesit e saj duke i nxjerrë ata në opozitë  siç mund të ndëshkojnë edhe opozitën duke e lënë në opozitë ose edhe duke e kërcënuar me humbjen e rolit të opozitës (duke ia dhënë atë rol ose duke krijuar mundësinë që atë rol ta marrë një parti tjetër e re ose ekzistuese). Shkurt demokracia për këtë arsye është prej sistemeve më politike më të efektshme dhe më të mira.

Çfarë ndodhi konkretisht në Shqipëri? A ishte, a është vendi ynë një vend i depolitizuar? Çfarë ndikimi pati sistemi zgjedhor në këtë depolitizim apo sistemi zgjedhor ishte viktimë e këtij depolitizimi?

Parti Socialiste e kryeministrit Edi Rama ishte qartësisht partia që nuk mund t’i humbte kurrë zgjedhjet. Kjo jo për meritë të saj në asnjë kuptim. Qeverisja e kryeministrit Rama nuk u paraqit me asnjë bilanc arritjesh në ekonomi, në sundimin e ligjit, në efikasitetin e administratës etj. Gati në çdo sektor gjendja ishte dhe është e papranueshme dhe pakënaqësitë janë të mëdha. Arsyeja pse Partia Socialiste nuk mund të humbte kurrë këto zgjedhje nuk kishte të bënte me të, por me konfigurimin politik të vendit dhe sidomos me gjendjen e opozitës. Në çdo llogari paraelektorale që bëjnë të gjithë konsulentët apo strategët zgjedhorë në botë, sidomos në SHBA,  matet raporti pëlqyeshmëri-mospëlqyeshmëri për kandidatin për kryeministër ose për liderin e koalicionit të qeverisë dhe të opozitës. Në qoftë se diferenca  pëlqyeshmëri – mospëlqyeshmëri është negative dhe është më e madhe sesa ajo e kundërshtarit, është shumë e vështirë që kandidati që ka diferencën më të madhe të fitojë. Gjithë historia politike ka treguar se ky tregues është në një farë mënyre tregues vendimtar. Edhe në zgjedhjet e fundit në SHBA, raporti pëlqyeshmëri – mospëlqyeshmëri për presidentin Trump ishte negativ në -2 ndërsa ky raport për zëvendëspresidenten Harris ishte -4. Pra Trump kishte avantazh. Në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020 ky raport në rastin e Biden ishte +1, ndërsa për presidentin Trump ishte -5. Në zgjedhjet në Gjermani kancelari Mertz kishte një raport prej -7 krahasuar me kandiatin e PSD-së  Scholtz që e kishte -25 apo kandidaten Alice Wiedel të AFD-së që e kishte -75.

Në zgjedhjet e Majit kryeministri Rama kishte një raport pëlqyeshmëri-mospëlqyeshmëri prej 48/52 pra -4. Ish-kryeministsri Berisha e kishte këtë raport në vlerat 32/68 pra -36. Kjo shifër prej -36 është e llahtarshme. Me këtë shifër nuk ekziston asnjë mundësi për të fituar.

Kjo shifër ishte produkt i gjendjes së PD-së, i sjelljes së vetë kryetarit të saj Berisha dhe i historisë së PD-së dhe kryetarit të saj Berisha. PD-ja u fut në një luftë vetëvrasëse të tmerrshme që prej 9 shtatorit të vitit 2021 kur  kryetari Basha vendosi të largojë nga grupi parlamentar ish-kryetarin Berisha.  Lëvizja e kryetarit Berisha ishte kundër kohës, kundër historisë, kundër logjikës. Ishte kundër kohës sepse  Berisha kishte qenë kryetar dhe kishte dhënë dorëheqjen pas një humbjeje të thellë duke qenë kryeministër në detyrë. Tani rikthimi në krye të PD-së pas tetë vitesh apo dhjetë vitesh ishte sigurisht kundër kohës. Ishte kundër logjikës sepse nuk mund të rikthehehesh dhe të kërkosh rithemelimin, çlirimin nga pengmarrja dhe pastrimin e PD-së në momentin kur PD vendos të të largojë ty personalisht. Ishte kundër logjikës sepse nuk mund të jesh kandidat për kryeministër kur je non grata (qoftë edhe me të padrejtë, apo pavarësisht se me të padrejtë) nga SHBA dhe Britania e Madhe dy vendet më të fuqishme të NATO-s. Ishte kundër historisë sepse përvoja, historia politike e botës nuk I njeh gjëra të tilla. Gjërat kanë trajektoren e tyre e cila nuk mund të ndryshojë kurrë nga këmbëngulja e një individi apo e një organizate. Individi ose organizata mund ta ngadalësojnë apo ta përshpejtojnë ecjen në trajektore, por jo ta ndryshojnë atë. Kësisoj një parti e tillë, një kandidat i tillë për kryeministër nuk është kurrë në garë për të fituar. Bash për këtë arsye Rama nuk mund të humbte. Rama kishte gjithçka kundër, por kishte me vete si avantazh pamundësinë e Berishës për të fituar.

Në këto kushte Rama nuk është më në politikë, ai është i depolitizuar. Është i depolitizuar sepse duke e pasur fitoren të sigurt, ai nuk jep llogari para votuesit apo anëtarëve të tij. Edhe Berisha nuk është në politikë, është i depolitizuar. Është i depolitizuar sepse dihet që në krye se nuk mund të fitojë dhe kështu nuk mund të japë llogari pse humbi para votuesit të tij apo para anëtarëve të tij. Kjo është pikërisht gjendja për të cilën flet Pierre Mannent. Atëherë PD dhe PS hyjnë në zgjedhje meqë ka një datë një datë zgjedhjesh, meqë formalisht  duhet të rilegjitimohen në pozicionet që kanë. Nga zgjedhjet nuk mund të lindë asgjë. Zgjedhjet duhet të kenë vetëm një kujdes . Ato duhet të përdorin mekanizma, rregulla, ligj zgjedhor që ta bëjë sa më të qetë dhe sa më të pranueshëm këtë formalizim ose këtë rilegjitimim. Që kjo të ndodhë, duhet  një ligj zgjedhor që nuk lejon asgjë që mund të rrezikojë sadopak pushtetin e Ramës apo të Berishës. Ligji zgjedhor, ligji I keq me lista të mbyllura në 30% të tyre, ligj që nuk jep asnjë mundësi t’i ndihmojë zgjedhjet të jenë instrument demokracie është thjesht një produkt banal ose rutinë e faktit që Rama nuk humb dot dhe Berisha nuk fiton dot.

Berisha ishte dhe ndoshta është ende aq i dobët sa Rama nuk rrezikon asgjë, por Berisha është aq i dobët sa mund të rrezikojë vetë. Ai mund të rrezikojë në dobësinë e vet që të çelet dera e krijimit të ndonjë grupimi apo partie opozitare që ta zëvendësojë si opozitë. Atëherë ai (dhe qeveria sigurisht) duhet të kujdesen që kjo të mos ndodhë.  Qeveria tani për tani nuk rrezikon asgjë, por hapja e një dere për zëvendësim të Berishës si opozitë (sado e vogël) është një mundësi që nesër të zëvendësohet edhe ai vetë. Kjo mund të duket e largët dhe e pamundur, por Rama dhe qeveria bëjnë gjënë më të sigurt, përpiqen që tani që të mos lejojnë asnjë lloj rreziku. Ligji ishte një prej mjeteve që u përdorën. Pati edhe mjete të tjera siç janë baza e njëjtë ekonomike dhe baza e njëjtë mediatike.

Pra Rama dhe Berisha në thelb nuk janë dy persona në politikë, por dy persona që dominojnë jetën politike duke e vrarë politikën. Politika ekziston vetëm kur rrezikohet pushteti dhe luftohet fort për to se vetëm kur kërkohet pushteti dhe luftohet fort për të, thotë Karl Schmitt. Pra qartësisht kemi dy partitë e mëdha të depolitizuara. Kjo sjell zgjedhjet si votime, si akt formal certifikimi ose rilegjitimimi jo thjesht i status quo-së por i vdekjes së politikës. Pra në një farë mënyre zgjedhjet jo vetëm që nuk ishin instrument demokracie, jo vetëm që këto zgjedhje nuk bënë të mundur që demokracia të korrigjojë gabimet e tmerrshme të deritanishme, por këto zgjedhje ishin një akt certifikimi i vdekjes së politikës. Duke vdekur politika, sigurisht që vdes llogaridhënia dhe pa dyshim që gabimet ose qeverisa shumë e keqe do të bëhet edhe më e keqe.

të ngjashme