Që zgjedhjet të jenë demokratike, duhen respektuar të paktën tri kritere: liria, fshehtësia dhe paparashikueshmëria e rezultatit. Sekuenca nuk është e rastësishme e aq më pak vetë shpjeguese. Që zgjedhjet të jenë të lira duhet që të dy komponentët - zgjedhësit dhe kandidatët/partitë - duhet të operojnë në kushtet e lirisë, por edhe të barazisë. Liria nuk është abstrakte, por konkrete, e operacionalizueshme si aktivitet, manifestim i përditshëm, por edhe si mos shtrëngim si nga shteti, apo dhe subjekte të tjera konkurruese. Liria në zgjedhje vlen jo vetëm në kuptimin e alternativave numerike, por mbi të gjitha në manifestimin e saj të përditshëm i cili nuk shfaqet vetëm në ditën e zgjedhjeve, por është konditë permanente, për mbajtjen e tyre. Barazia, në anën tjetër, vlen jo vetëm për votën; pa votë të barabartë dhe të lirë niveluesi i madh, qytetaria, do të humbte të gjithë kuptimin e saj. Të jesh qytetar nuk do të thotë të jesh i barabartë sa kohë që vota nuk është e lirë dhe për pasojë e barabartë në shprehje dhe numërim të vullnetit. Fshehtësia nuk ka të bëjë fort me nevojën ekstreme, intime që njeriu ndjen për të shprehur vullnetin apo opinionin. Përkundrazi sa më e ndrydhur të jetë shprehja e opinionit, aq më të palira janë zgjedhjet. Fshehtësia shërben si mekanizëm gati mistik i procesit zgjedhor, njëfarë përballje e individit, në kutinë e votimit me veten dhe ndërgjegjen, esencën individuale të liberalizmit, e ndofta dhe ‘tradhtinë’ e lejuar të premtimit të votës ndaj një kandidati apo partie. Fshehtësia përmblidhet në mistikën e kutisë, kabinës elektorale, ku zgjedhësi bën llogarinë fundore me fletën e votimit, përzgjedhjen, mospërzgjedhjen deri dhe përlyerjen e fletës së votimit. Nevoja për sigurimin e transparencës, frika e trenave bullgarë, fotografimi i votës e ka reduktuar kutinë e votimit gati-gati në një podium gjyqi, ku votuesi përballet me vështrimet hetuese të komisionerëve partiakë. Bordura e kartonit që krijon barrierën mes shikimeve hetuese dhe votuesit cullak që shpreh vullnetin e tij duket si e pamjaftueshme për të siguruar fshehtësinë e votimit. Mistika e kabinës elektorale është shndërruar në transparencën plastike të kutisë së votimit.
Pa liri e fshehtësi nuk ka rezultat të paparashikueshëm, duke e shndërruar në momentin më të pakuptimtë të zgjedhjeve. Në mënyrë paradoksale, tranzicioni i procesit zgjedhor në Shqipëri është shoqëruar nga zhveshja dhe sanitizimi i ditës së votimit nga elementë joesencialë, kabina elektorale, kuti transparente, boja dyjavore në gishtin e djathtë deri tek shenjat e gishtërinjve. Më tepër se një proces shprehje vullneti, zgjedhjet ngjajnë me momentet e sikletshme të censusit, aty ku qytetari ndjen peshën penetruese të burokracisë shtetërore. E pur si muove, thënia galileane përpara inkuizicionit, na përball me realitetin, zgjedhjet në Shqipëri nuk janë as të lira, as të fshehta dhe jo fort të paparashikueshme. Mëkati origjinal, tradita e mungesës së lirisë, është e hershme sa jeta e demokracisë shqiptare. Përkundër perëndimit të parë si model, proceset demokratizuese në Shqipëri ishin kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë e metabolizuar. Partitë politike nuk arritën apo ende nuk kanë arritur të përfaqësojnë e, aq më pak, të mobilizojnë mbi baza formale interesash të bashkëndara, përtej metaforës simbolike të bukës së gojës. Elektorati shqiptar trajtohet dhe reagon si një turmë multiforme interesash thelbësisht materialë, të diktuar nga nevoja, mungesa e identitetit shoqëror dhe oferta politike. Nëse në Evropën Perëndimore e drejta e votës ishte një proces gradual emancipimi drejt qytetarisë së plotë, në Evropën Lindore, e drejta e votës u garantua në kuadrin e pa lirisë së regjimeve komuniste, e në demokraci u trajtua e tregtua baras me shumë vlera morale të utopisë socialiste.
Misioni hyjnor
Në atë maj të vitit 1996, disa studentë që kalonin përballë posterit modest elektoral të Blendi Gonxhes, shprehnin dëshirën e vullnetin për ta votuar jo aq për kapacitetin intelektual sa hiret e rinisë. Bindshëm atë natë PD-ja do të fitonte, me përqindje gati bullgare, zgjedhjet e treta pluraliste në Shqipëri, dhe të parat e një radhe zgjedhjesh të manipuluara, të shtrembëruara e formale. Për të përdorur metaforën e historisë së Budenbrokëve, prej Tomas Manit: Zgjedhjet e para u ndërtuan nga gjyshërit specialistë, të dytat nga fëmijët adoleshentë të dehur nga premtimi i bollëkut të ëndrrës liberale kapitaliste dhe të tretat nga po ata të rinj e etur për të mbajtur çdo kusht pushtetin duke prishur përfundimisht procesin esencial të një regjimi demokratik, zgjedhjet. Hija e majit 1996 u bë standardi i 1997, metri matjes së 2001, pauzës së 2005 për të ardhur tek atrofia e 2025. Justifikimet e arsyes përse zgjedhjet në Shqipëri nuk janë as të lira, as të fshehta dhe aq më pak të paparashikueshme shkon nga misioni hyjnor deri tek paaftësia e kontrollit të zellit të sejmenëve të manipulimit. Në vitin 1996, PD-ja donte të ruante me çdo kusht pushtetin në emër të misionit hyjnor që i kish ngarkuar historia, dekomunistizimin ose më shumë margjinalizimin elektoral të ish-PPSH-së. Në vitin 2001, PS-ja duhej me çdo kusht të qëndronte në pushtet përballë rrezikut të demonit me pamjen dhe figurën e Sali Berishës, të cilin dhe sot e ndjek hija e errët e 1997-tës. Të bindur në misionet përkatëse hyjnore, PD-ja e PS-ja sakrifikuan në altarin e demokracisë militante gjysmake zgjedhjet. E në fakt më tepër sesa parti, PD-ja e PS-ja u shndërruan në aktive elektorale militantë, në kërkim, fitim e ruajtje me çdo kusht të rezultatit elektoral, si determinant jo për marrjen e pushtetit. Pushteti njehsohej me votën dhe vota përcaktonte pushtetin. Larg përfaqësimit, partitë synuan pushtetin si e vetmja mënyrë për të mbajtur elektoratin duke prodhuar qarkun vicioz votë-pushtet-votë. Të paafta për të përfaqësuar apo edukuar interesa, partitë perifrazohen si makina elektorale, mjete drejt një qëllimi, marrjes së pushtetit, si i vetmi mekanizëm mbijetese, rrudhje apo zgjerimi të partisë. Në ndjekje gati fjalë për fjalë të sekuencës veberiane, parti/organizatë - lider - premtim pushteti - shpërndarje të mirash materiale, PD-ja, PS-ja apo mikropartitë synuan me çdo kusht pushtetin, e ku gjendja opozitare u kthye në mallkim. Piruetat e papërgjegjshme të LSI-së, rritja e pakuptimtë e aktorëve dytësorë si PSD-ja, nuk kanë shpjegim përveç premtimit klientelar të votës, post publik, votë favor personal. Diku në pikun e krizës së Lazaratit, në mes vitit 2013, një funksionar socialist bënte llogarinë e fitimeve të paligjshme nga kultivimi i kanabisit, si mundësi për të deformuar procesin zgjedhor. E pikërisht kjo skemë, më tepër se etja për pasurim shtyu në kanabizimin masiv të vitit 2016, dhe përdorimin e pamat të levës financiare të paligjshme në deformimin e rezultatit të vitit 2017. Pjesa tjetër është histori e vazhdueshme përdorimi i çdo resursi financiar publik a privat në orientimin rezultatit zgjedhor. Një hop cilësor i cili do t’i largohej vrazhdësisë manipulative të zgjedhjeve të viteve ’90-2000, përmes përdorimit të mekanizmave gati të pakapshëm të rishpërndarjes direkte të të mirave materiale, kontrollit kapilar mbi sjelljen e votuesit, raportit të dyshimtë me segmentet kriminale e kështu me radhë.
Banalizimi i mediokritetit
Pavarësisht se Shqipëria ka një strukturë politike parlamentare, e cila për natyrën e raporteve kushtetuese, e vendos kryeministrin nën kontrollin e Parlamentit, mënyra se si një kryeministër vjen në pushtet, e bën thuajse të pamundur, kontrollin parlamentar. Në Shqipëri, ndryshimet elektorale të vitit 2008, të cilat sollën ndërrimin e arkitekturës zgjedhore, me adoptimin e një sistemi elektoral proporcional rajonal u pasuan specifikisht me forcimin e liderit. Nëse lidershipi, në logjikën weberiane mbështetet tek aftësitë karizmatike të liderit, aspektet institucionale, rregullat e lojës diktuan jo vetëm forcimin e mëtejshëm të lidershipit të partisë, por edhe mekanizmat institucionalë të ofruar tashmë nga ligji elektoral sikurse vendimi thuajse personal i liderit të partisë për të diktuar listën e deputetëve dhe rankimin e tyre në fletën elektorale. Në këtë mënyrë forcimi i lidershipit, dhe në mungesën e karizmës, për shkak të detyrimeve insitucionale bënte të mundur pikërisht forcimin e mëtejshëm të liderit e për pasojë personalizimin e fushatës por edhe të parit të kundërshtarit politik në terma të konkretësisë. Kundërshtari është jo thjeshtë, i ndryshmi alternativa politike, por i kundërti i cili duhet ‘eliminuar’ e mundur politikisht jo thjesht në terma numerikë por në terma gati personalë.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i politikës shqiptare ka të bëjë dhe me natyrë e zgjedhjeve dhe procesin e transferimit të pushtetit apo atë që rëndom quhet si rotacion politik. Që prej vitit 1997, zgjedhjet në Shqipëri janë garantuar nga prania direkte e faktorit ndërkombëtar, sikurse OSBE-ja ose Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Garancitë ndërkombëtare kanë qenë të nevojshme për shkak të dhunës gjatë zgjedhjeve, manipulimit dhe transformimit të vullnetit popullor. Dhuna elektorale dhe manipulimi janë kthyer në një rutinë e cila ka dëmtuar në mënyrë të vazhdueshme pikërisht një prej themeleve të një demokracie, konkurrimin dhe marrjen e pushtetit përmes votës së lirë. Kështu mbajtja për dy mandate e pushtetit nga PS-ja 1997-2005, dhe PD-ja (PD+LSI) 2005-2013, u panë si cikle qeverisëse normale, ku pas çdo dy mandateve konsekutive, pushteti ndërronte. Në këtë kuptim zgjedhjet ishin pjesërisht determinante pasi që nuk konsiderohen, të paktën në opinionin publik si asnjëherë totalisht të lira. E nëse rezultati zgjedhor, për shkak të faktorëve jashtë ligjorë, është apo perceptohet i manipulueshëm, cili është funksioni i menaxhimit të fushatës elektorale ose a vlejnë strategjitë e fushatës në një kontekst i cili duket thuajse i mbyllur që në nisje?
Fushatat e elektorale në Shqipëri ndahen në dy momente: së pari, fushatat implikojnë imazhin dhe përçimin mediatik të liderit e partisë në sytë e publikut. Zakonisht kjo pjesë ndiqet nga stafe të kualifikuara, shpesh të ndihmuara nga aktorë profesionistë jovendorë. Një pjesë tjetër e fushatës ka të bëjë me kapjen ose arritjen e elektoratit. Kjo pjesë menaxhohet direkt nga organet e partisë lidhjet e ngushta, klientelare, raporti (nëse ekziston) mes partisë në maxhorancë dhe administratës publike, kontrollit e mbulimit maksimal të territorit nga funksionarët partiakë mbi bazë territori. Nëse për pjesën e dytë, është përgjegjës janë direkt organizmat partiakë, për të parën kërkohet një angazhim i natyrës profesionale, gjë që implikon dhe angazhimin e stafeve të dedikuara të cilat propozojnë dhe ndërtojnë imazhin mediatik të fushatës. Megjithatë, vetëm fushata, imazhi e sloganet, ndonëse në pamje të parë kërkojnë t’i përngjajnë apo të huazojnë modele perëndimore, ato duhet t’i japin një përgjigje konfliktit endemik e përjashtues që karakterizon politikën shqiptare.
Manipulimet e zgjedhore dhe delegjitimimi/mosnjohja e pjesshme apo totale e fitores së kundërshtarit, ka sjellë një konflikt politik i cili nuk orientohet në raporte apo linja ideologjike por në objektivin kryesor atë të kapjes së shtetit dhe të pushtetit. Andaj qasja dhe në fushata nuk mund të jetë asnjëherë pozitive, por negative e përjashtuese. Gryzmala-Busse, në analizën që i bën kompeticionit politik në Evropën post-komuniste, thotë se shpesh partitë politike kanë ndërtuar forma e mënyra për ta shfrytëzuar shtetin ekonomikisht. Pra njëherë në pushtet partitë politike kanë kërkuar me çdo kusht të ndërtojnë një aparat mbështetës shfrytëzues në favorizimin e kanaleve ekstrapartiake për të kanalizuar resurse. Po Gryzmala-Busse, thotë se aty ku opozita ka qenë e fortë, kjo logjikë është balancuar nga aksioni opozitar. Ky ekuacion nuk vlen për Shqipërinë ku opozitat dhe pse aktive e të forta janë përballur me një aparat shtetëror të okupuar nga partia në pushtet, të vënë në funksion total të objektivit të fitores në zgjedhje e mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, si mënyrë autoperpetuimi të ekuilibrave shfrytëzues të ekonomisë dhe aparatit shtetëror. Në këtë mënyrë debati politik në Shqipëri është i natyrës ekzistenciale, për vetë opozitën në kuptimin e konfrontimit me të keqen bazike, pra okupimin dhe shfrytëzimin e shtetit e tentativën e partisë në pushtet për të akumuluar e shfrytëzuar të gjithë resurset ekonomike si në formën e shpërndarjes klientelare si në vënien e këtyre lidhjeve në funksion të fushatave. Në thelb të këtyre produkteve qëndron një linjë kritike sociale e cila sfumohet nga preponderanca e karakterizimit trupor të kundërshtarit. Mosha, privatja trupore, orientimi seksual shërbejnë si mënyra për ta mbushur ligjërimin publik jo fort me çështje publike se sa me sulme të natyrës personale dhe private, të cila kanë si qëllim turpërimin publik të kundërshtarit. Në thelb qëndron problemi kryesor i politikës shqiptare, mungesa e rotacionit apo permanenca e gjatë në skenën publike e cila rrotullohet rreth 3 apo 4 personazheve.
Sundimi i boshësisë
Fotografia instantane më e bukur e Shqipërisë së verës së vitit 2024 mund të jetë kolazhi i fotove të Ivanka Trump dhe presidentit Bajram Begaj. Shoqëruar me dy tre fjali të shkurtra, në njërën me pohimin e Ivanka Trump se do të sjellë në Sazan markat më të mira botërore, e në tjetrin presidentin duke kërcënuar Iranin. Me pak fjalë kolazhi Ivanka-Bajram, është ajo çka arritur të prodhojë demokracia shqiptare të paktën këto njëzet vjetët e fundit, triumfin e boshit. Me piruetin e dhënies së Sazanit një konsorciumi privat, shumë kush në Shqipëri mendon se Rama ka siguruar të paktën dhe një mandat në tavolinë, pa menduar e konsideruar gati fare mekanizmin e zgjedhjeve. Peter Mair, në veprën e tij të papërfunduar “Ruling the void” (Verso, 2013), shprehet se politika tradicionale ka humbur aftësinë dhe autonominë për të vendosur, dhe se vendimmarrja është transferuar tek aktorë ekstrakombëtarë (BE, FMN apo BB). Qeverisja vepron në dy kanale, atë jashtë sovranitetit, kanali burokratik dhe atë formal kombëtar. demokratike. Në sistemin përfaqësues modern, qytetarët ndihen gjithnjë e më të largët nga qendrat e vendimmarrjes. Partitë nuk janë më instrumente përfaqësimi, por aktorë të integruar në aparatin shtetëror. Kjo për Mair është: “Qeverisje pa politikë dhe politikë pa qeverisje”. Kësisoj demokracia zbrazet e qytetarët tërhiqen nga pjesëmarrja e nuk mobilizohen më si dikur. Kësaj i shtohet dhe sëmundja kronike e legjitimitetit ekstrakombëtar, të shtuar apo të huaj në të cilin vegjeton politika shqiptare. Boshllëkut shqiptar i shtohet servirja mesianike e aktorëve ndërkombëtarë. Batutat e Merz, gjunjëzimi romantik ndaj Melonit janë grimca banale të manifestimit të legjitimitetit të jashtëm. E nëse bota pranon, shqiptari duhet të gëlltisë. Për pasojë Shqipëria është transformuar në një feud stabilokracie, ku zgjedhjet janë një spektakël teatral me fund të përcaktuar. Skena politike është tashmë e depolitizuar, e ku maksimumi i përballjes janë dihatjet për manipulim të opozitës, çyrykllëku i Berishës apo zëri i zvargur i Zeqinesë që fton në duel Gaz Bardhin. Zgjedhjet kanë humbur kuptimin, janë depolitizuar formalisht në emër të një konsensusi të siguruar në rrugë informale klientelare. Në pak vite dhe falë mjeljes masive të burimeve shtetërore, PS është kthyer në një mamuth, indeniteti i të cilit është vetëm vota. Në këto kushte zgjedhjet ose janë të pakuptimta ose do të zhvillohen brenda PS-së. E vetmja mënyrë e shpëtimit të iluzionit elektoral është lufta në mes llojit e në horizont, kjo do të jetë e ardhmja e zgjedhjeve në Shqipëri.