BRENTON KOTORRI

Pse votimet i kanë zhbërë zgjedhjet në demokracinë shqiptare?

Shqipëria, si një republikë parlamentare postkomuniste, prej tri dekadash po përpiqet të forcojë institucionet demokratike dhe kulturën politike. Demokracia moderne nënkupton që pushteti buron nga populli, i cili e ushtron sovranitetin e vet përmes përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Në një republikë moderne demokratike, parimet e demokracisë liberale kërkojnë një rend kushtetues me ndarje të pushteteve, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave individuale, në mënyrë që qeveria t’i shërbejë popullit e të kufizohet nga ligji.

Shqipëria, si një republikë parlamentare postkomuniste, prej tri dekadash po përpiqet të forcojë institucionet demokratike dhe kulturën politike. Demokracia moderne nënkupton që pushteti buron nga populli, i cili e ushtron sovranitetin e vet përmes përfaqësuesve të zgjedhur lirisht. Në një republikë moderne demokratike, parimet e demokracisë liberale kërkojnë një rend kushtetues me ndarje të pushteteve, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave individuale, në mënyrë që qeveria t’i shërbejë popullit e të kufizohet nga ligji. Shqipëria i ka afirmuar këto parime në Kushtetutë, por mekanizmat zgjedhorë, pra mënyra si përkthehen votat e qytetarëve në vende në Kuvend ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi cilësinë e demokracisë sonë.

Reforma zgjedhore është bërë një temë qendrore e debatit publik. Pas vitit 2008, Shqipëria kaloi nga një sistem zgjedhor i përzier (mazhoritar + proporcional kombëtar) në sistemin proporcional rajonal me lista të mbyllura, si rezultat i një marrëveshjeje mes dy partive kryesore. Kjo ndryshoi rrënjësisht mënyrën e përfaqësimit politik, duke shkaktuar si efekte pozitive, ashtu edhe kritika të forta mbi përfaqësimin dhe llogaridhënien. Ndërkohë, demokracitë e konsoliduara ofrojnë modele të ndryshme: Britania e Madhe përdor sistem mazhoritar njëemëror (FPTP), Gjermania një sistem të kombinuar mazhoritar-proporcional, ndërsa Kosova fqinje me një kulturë politike të ngjashme ka adoptuar një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura por prag të lartë.

REPUBLIKA

Që një shtet të quhet republikë demokratike, kusht themelor është që pushteti politik t’i takojë popullit dhe përfaqësuesve të tij, e jo një monarku apo klike autokratike. Në praktikë, demokracitë moderne janë zakonisht demokraci liberale, çka nënkupton kombinimin e parimit demokratik (qeverisja me pëlqimin e shumicës përmes zgjedhjeve periodike) me parimin liberal klasik kushtetues (kufizimin e pushtetit përmes kushtetutës, ndarjes së pushteteve dhe garantimit të të drejtave). Parimet kryesore teorike që përbëjnë themelin e një demokracie liberale-republikane përfshijnë:

Sovranitetin që buron nga populli dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur. Demokracia moderne është kryesisht demokraci përfaqësuese, ku qytetarët zgjedhin deputetë që marrin vendime në emër të tyre në parlament.

Ndarjen e pushteteve. Republikat moderne ndërtohen mbi idenë e kufizimit të pushtetit absolut. Ndarja e pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor është një shtyllë themelore që parandalon përqendrimin e tepërt të pushtetit në një dorë. Kjo doktrinë, e artikuluar qysh nga filozofi Monteskie, e më pas tek Letrat e Federalistit. Për shembull, në një republikë parlamentare si Shqipëria, (në letër) Kuvendi (legjislativi) miraton ligje dhe kontrollon Qeverinë (ekzekutivin), ndërsa gjykatat e pavarura ruajnë kushtetutshmërinë.

Shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Një demokraci liberale imponon respektimin e kushtetutës dhe ligjeve si autoriteti më i lartë, ku edhe shumica s’duhet të cenojë të drejtat themelore të individëve apo minoriteteve. Kjo garanton se demokracia nuk kthehet në “tirani të shumicës” kujto Tokëvil. Parimi “sundimi i shumicës me respektimin e pakicës” sanksionon që shumica qeverisëse të mos abuzojë me fuqinë, ndërsa opozita dhe grupet minoritare të gëzojnë liri fjale, përfaqësimi dhe mundësinë për t’u bërë shumicë në të ardhmen.

Pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira. Demokracitë moderne kërkojnë sistem shumëpartiak pluralist, ku interesa dhe ideologji të ndryshme garojnë hapur. Zgjedhjet e lira, të barabarta e periodike janë mekanizmi kryesor për legjitimimin e pushtetit. Konkurenca midis partive politike dhe kandidatëve ofron alternativa.

Llogaridhënia dhe përgjegjshmëria. Një demokraci e shëndetshme siguron që pushtetarët t’u përgjigjen qytetarëve. Sistemi politik duhet t’i lidhë ngushtë të zgjedhurit me zgjedhësit, në mënyrë që vendimmarrja të pasqyrojë vullnetin e popullit dhe abuzimi me pushtetin të ndëshkohet.

Shkurt, demokraci moderne në një republikë moderne do të thotë një rend politik ku qeverisja me anë të përfaqësuesve të zgjedhur bashkëjeton me institucione kushtetuese të forta.

PËRFAQËSIMI

Zgjedhjet janë thelbi i demokracisë përfaqësuese, ndaj mënyra sesi organizohen ato pra sistemi zgjedhor ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e votës përfaqësuese. Me “votë përfaqësuese e fuqizuar” nënkuptojmë që vota e çdo qytetari jo vetëm përkthehet drejtësisht në përfaqësim në parlament, por edhe ndikon realisht në zgjedhjen e qeverisë dhe politikave. Kjo kërkon një balancë midis përfaqësimit dhe llogaridhënies (ndërlidhja e votuesve me të zgjedhurit). Literatura zgjedhore pohon se nuk ekziston “sistemi zgjedhor ideal” universal; çdo sistem ka avantazhe dhe dizavantazhe, dhe zgjedhja varet nga konteksti historik e objektivat e një vendi. Megjithatë, mund të dallojmë tri familje kryesore sistemesh:

Sistemet mazhoritare: Këtu përfshihen sistemet ku fituesi përcaktohet nga shumica (absolute ose relative) e votave në zona të vogla njëemërore. Model tipik është “fituesi merr gjithçka” në secilën njësi zgjedhore (p.sh. modeli britanik “First-Past-The-Post” – FPTP). Qëllimi i mazhoritarëve është zakonisht të prodhojnë një shumicë qeverisëse efektive edhe kur kjo e tepron pak peshën reale të partisë fituese. Për shembull, në Britani shpesh një parti me ~40% të votave merr mbi 50% të vendeve në Parlament, falë këtij efekti “bonusi” që siguron qeveri të vetme stabile. Në sistemin mazhoritar tipik, çdo zonë zgjedh një deputet, dhe kandidati me më shumë vota fiton mandatin. Secili qytetar voton për kandidatin e preferuar në zonën e vet dhe kandidati me votat më shumë bëhet deputet. Kjo çon pothuaj gjithnjë në qeveri të formuar nga një parti e vetme, duke shmangur koalicionet.

Sistemet proporcionale. Këto synojnë që shpërndarja e mandateve në parlament të reflektojë sa më besnikërisht përqindjen e votave të secilës parti në popull. Zakonisht vendi ndahet në zona (ose një zonë e vetme kombëtare) dhe secila parti paraqet listë kandidatësh; mandatet ndahen proporcionalisht me votat e marra nga partitë. Qasja “vota e barabartë = përfaqësim i barabartë” fuqizon parimin e drejtësisë: edhe partitë e vogla marrin pjesë në parlament nëse kalojnë një prag minimal (p.sh. 3% ose 5%). Shembulli i shumë demokracive europiane kontinentale: Parlamentet formohen nga lista partiake sipas votave totale. Shqipëria vetë ka prej 2009 një sistem proporcional (me zona rajonale). Ndërsa  e gjithë Kosova është një zonë unike ku mandatet ndahen proporcionalisht sipas votave mbarëkombëtare të partive, duke eliminuar efektin rajonal.

Sistemet e përziera (mazhoritar-proporcional). Shumë vende kanë zgjedhur modele hibride që përpiqen të marrin më të mirën nga të dy sistemet. Gjermania është shembulli klasik: gjysma e deputetëve zgjidhen njëemëror (si mazhoritar), gjysma nga listat e partive mbarëkombëtare, dhe rezultati total balancohet në mënyrë proporcionale me votat kombëtare. Kështu çdo qytetar jep dy vota: njërën për kandidatin e zonës (i cili zgjidhet drejtpërdrejt në Bundestag nëse del i pari në zonë), dhe votën tjetër për partinë e preferuar. Esenca e këtij sistemi është se vota e dytë (partisë) përcakton përqindjen totale të vendeve të secilës parti, pra barazon proporcionalitetin. Vende të tjera si Zelanda e Re, Skocia, Uellsi, etj. përdorin variante të ngjashme. Edhe Italia e ka aplikuar një sistem të kombinuar, po ashtu Maqedonia e Veriut ka diskutuar reforma miks.

“Sistemi më efikas zgjedhor” sidomos për Shqipërinë do të ishte ai që arrin dy objektiva njëherazi: (1) Çdo votë ka peshë dhe përfaqësim real, pra, parlamenti reflekton sa më shumë vullnetin e zgjedhësve dhe (2) Qeveria e dalë nga zgjedhjet reflekton drejtpërdrejt votën e qytetarëve, duke mundësuar llogaridhënie të qartë. Kjo balancë, siç u pa, është e vështirë sepse sistemet mazhoritare favorizojnë llogaridhënien e drejtpërdrejtë por në kurriz të proporcionalitetit, ndërsa ato proporcionale bëjnë të kundërtën.

Në përgjithësi, studimet sugjerojnë se për fuqizimin maksimal të votës përfaqësuese nevojitet një shkallë e lartë e proporcionalitetit, e kombinuar me elementë që ruajnë lidhjen personale të zgjedhësve me të zgjedhurit. Kjo mund të arrihet ose përmes sistemeve të përziera (si modeli gjerman) ose përmes përmirësimit të sistemeve proporcionale me instrumente si lista të hapura, pragje të moderuara dhe një njësi zgjedhore mbarëkombëtare (që rrit barazinë e votës). Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë parë thirrje pikërisht në këtë drejtim: lista të hapura për ta bërë parlamentin “përfaqësues të qytetarëve dhe jo të kryetarëve”. Duke qenë se në Gjirokastër duhen 30% të votave për të nxjerrë një deputet, kurse në Fier 10%, në sistemin aktual shqiptar vota e qytetarit nuk ka peshë të barabartë kudo dhe se listat e mbyllura(1/3) ua mohojnë zgjedhësve mundësinë të zgjedhin se cili individ i përfaqëson. Sistemi më efikas do të eliminonte këto shtrembërime, duke garantuar se çdo votë, pavarësisht se ku jepet dhe për kë jepet, kontribuon realisht në përfaqësimin parlamentar dhe në formimin e qeverisë. Më poshtë do të shohim pse sistemi aktual proporcional rajonal i Shqipërisë dështoi t’i përmbushë këto objektiva dhe cilat alternativa duhet të ofrohen.

SISTEMI

Sistemi zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura, i miratuar në Shqipëri në fund të vitit 2008 dhe zbatuar që nga zgjedhjet 2009, është kritikuar ashpër për mangësitë e tij strukturore dhe demokratike. Kjo reformë u arrit me konsensus mes dy partive kryesore (PD-PS) dhe u kundërshtua nga partitë e vogla, të cilat argumentuan se ky sistem i penalizon ato dhe shkakton pabarazi të vlerës së votës. Në këtë sistem, vetëm forcat e mëdha arrijnë pragjet zgjedhore të nevojshme në çdo qark, ndërsa partitë e vogla shpesh mbeten jashtë përfaqësimit. Pragu elektoral (3% për partitë individuale dhe 5% për koalicionet në nivel qarku) ka rezultuar pengesë për aktorët e vegjël. Para ndryshimeve të fundit, partitë e vogla i siguronin disa mandate përmes koalicioneve parazgjedhore me listë të përbashkët me partitë e mëdha. Mirëpo, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u ndaluan koalicionet efektive në formën e dikurshme tani aleatët mund të garojnë vetëm me një listë unike, ç’ka praktikisht i detyroi partitë e vogla të “shkrijnë” identitetin e tyre në listat e partive të mëdha ose të rrezikojnë mbetjen jashtë parlamentit. Këto rregulla prodhuan rënie të pluralizmit politik, pasi përbërja e Kuvendit është dominuar nga dyshja kryesore partiake dhe një numër i kufizuar partish të reja, duke “vrarë” në mënyrë efektive pluralizmin politik në vend

Dobësimi i lidhjes deputet-zgjedhës. Lista e mbyllur nënkupton që qytetarët votojnë vetëm për partinë, pa pasur mundësi të zgjedhin kandidatë individualë. Renditja e deputetëve të ardhshëm përcaktohet ekskluzivisht nga kryetarët e partive, dhe mandati i sigurt i atyre që kryesojnë listat varet nga vullneti i kryetarit, jo i votuesve

Një tjetër mangësi strukturore lidhet me shpërndarjen e mandateve midis 12 qarqeve. Në mungesë të rishikimit periodik të kësaj shpërndarjeje bazuar në popullsi, sidomos pas censusit të 2023-shit, edhe në 2025-ën, pesha e një vote ndryshon nga një qark në tjetrin. Vetë OSBE/ODIHR ka rekomanduar që, për të siguruar barazinë e votës, numri i mandateve për çdo qark duhet të reflektojë përditësimet demografike. Shqipëria ka qarqe me popullsi shumë të ndryshme – nga Tirana (~900 mijë banorë) te Gjirokastra (~70 mijë banorë). Përdorimi i qarqeve si njësi zgjedhore pa asnjë komponent kombëtar është i kalkuluar për taktikën (për të mos thënë hilenë trashë) të njohur si Gerrymandering. Mund të ishte parashikuar, fjala vjen, që për ndarjen e mandateve kombëtare të ketë një fazë rishpërndarjeje kombëtare (si modeli i “proporcionalit të korrigjuar kombëtarisht” që u propozua më 2020). Ky sistem ndëshkon votat në nivel kombëtar që s’përkthehen në mandate lokale (p.sh. 10 mijë vota të një partie të vogël në 12 qarqe = 120 mijë vota, mjaft për 3-4 deputetë në kombëtare, por mund të mos fitojë asnjë nëse në secilin qark janë nën pragun). Kështu ndodhi me disa parti në zgjedhje të ndryshme (p.sh. FRD në 2013 mori >29 mijë vota kombëtare, pa asnjë mandat; PDIU në 2021 mori ~25 mijë vota, 0 mandate, Shqipëria bëhet me 4% mori 1 dhe jo 5 mandate, etj.) Gabimi këtu është konceptual: proporcionalja do të duhej të llogaritej në shkallë kombëtare për të qenë vërtet e drejtë; ose ndarja në zona të vogla duhej shoqëruar patjetër me masa korrigjuese.

Shumë vende kur kanë kaluar në lista proporcionale, me kalimin e kohës i kanë hapur listat për të ruajtur kontaktin me votuesit (p.sh. Belgjika, Holanda, etj. kanë lista të hapura prej dekadash). Shqipëria, ndonëse me presion publik për lista të hapura, hezitoi t’i implementonte ato plotësisht. Deri në 2020 nuk u bë asgjë vetëm pasi pati një lëvizje të gjerë qytetare dhe diaspore për lista të hapura, Kuvendi pranoi një zgjidhje gjysmake (hapje me preferencë por me kufizime). Kjo tregon se politika shqiptare e keq-zbatoi sistemin proporcional duke e mbajtur atë në formën më të mbyllur e të kontrolluar nga lart të mundshme, në vend që ta përmirësonte me elementë pjesëmarrës. Gjithashtu, Shqipëria nuk shfrytëzoi fare mundësinë e zgjedhjeve paraprake brenda partive për listat (një praktikë që do i bënte deputetët më të lidhur me elektoratin). Këto mungesa e thelluan problemin e shkëputjes së përfaqësuesve nga populli.

Të gjitha sa më sipër, argumentojnë pse zbatimi i këtij sistemi ka qenë i mangët dhe i shtrembëruar drejt interesave të elitës. Por cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm për Shqipërinë? Duke mësuar nga gabimet, opsionet kryesore që dalin janë dy, disi alternative me njëra-tjetrën: (A) Sistemi mazhoritar me 100 zona, ose (B) Sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura (modeli i Kosovës). Të dyja premtojnë adresimin e disa prej mangësive aktuale, ndonëse me qasje të ndryshme.

Pas mbi një dekade me këtë sistem, bilanci është një parlament më pak i larmishëm, me deputetë më pak të varur nga vota e qytetarëve dhe më shumë nga vullneti i kryetarëve. Kriza e përfaqësimit është thelluar: votat për parti më të vogla shpesh janë përkthyer në mandate për partitë e mëdha ose janë humbur.

ZGJEDHJET

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u mbyllën me një fitore të katërt radhazi për Partinë Socialiste dhe një pjesëmarrje të ulët rreth 41–42%. PS siguroi mbi 50% të votave (82–83 mandate), ndërsa opozita e udhëhequr nga Sali Berisha mbeti në 34–37%, pavarësisht krizave të shumta dhe akuzave për korrupsion që e rrethuan qeverinë. Për shumë qytetarë, kjo nuk ishte fitore e demokracisë, por shenjë e lodhjes së saj.

Sipas teorive të Robert Dahl, një demokraci e shëndetshme kërkon rotacion, llogaridhënie, dhe media të lirë. Asnjë nga këto nuk u demonstrua në zgjedhjet e fundit. Qeveria aktuale ka dhjetë vite në pushtet, ndërkohë që akuzat për kapje shteti, pastrim parash, dhe lidhje me krimin e organizuar janë bërë të zakonshme. Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës dhe hetimet ndaj figurave të larta politike nuk e ndryshuan trendin: shumica e qytetarëve zgjodhën të mos votojnë, ose të votojnë për “të njohurit” e vjetër. Ndërkohë, liria e medias është në rënie: Freedom House e cilëson median shqiptare “thellësisht të politizuar”, dhe OSBE kishte paralajmëruar për dominimin e fushatave nga dy liderët kryesorë Rama dhe Berisha që zënë mbi 80% të hapësirës televizive.

Kjo ngurtësi e skenës politike ka krijuar një cikël të mbyllur: partitë e reja, ndonëse me ide, nuk arritën të kalojnë pragjet zgjedhore në rrethe. Sistemi proporcional rajonal me lista pjesërisht të mbyllura, i miratuar nga të njëjtët aktorë të vjetër, i mban partitë e vogla në margjinë dhe favorizon dyshen PS–PD. Në mungesë të një lëvizjeje masive reformuese ose një lideri të ri tërheqës, votuesit shpesh kthehen tek emocionaliteti dhe “tifozeria politike” siç e përshkruan Michael Bruter “…duke votuar më shumë si për skuadër futbolli, sesa për programe konkrete”.

Opozita e djathtë, në vend që të paraqiste një alternativë të qartë, u rikthye te figura e Sali Berishës tashmë e sanksionuar ndërkombëtarisht dhe nën hetim të SPAK-ut. Ky rikthim shkaktoi ndasi të reja, përçarje të partisë dhe refuzim nga një pjesë e opinionit konservator që kërkonte rinovim figurash. Në vend të rikuperimit, PD-ja u dobësua më tej dhe humbi edhe më shumë mbështetje krahasuar me zgjedhjet e 2021.

Në këtë situatë, shqiptarët gjenden përballë një demokracie që funksionon më shumë mekanikisht sesa përmbajtësisht. Mediat informojnë pjesërisht; partitë përfaqësojnë në mënyrë të dobët; zgjedhjet nuk sjellin ndryshim. Siç paralajmëron Paul Tucker, një demokraci që nuk përmirësohet aktivisht mund të rrëshqasë lehtë në autokraci me pamje demokratike.

Zgjedhjet e 2025 nuk ishin vetëm një betejë elektorale, ishin një pasqyrë e krizës së përfaqësimit, rrënimit të opozitës, dhe pasivizmit qytetar. Ndërsa cikli i vjetër vazhdon, sfida qëndron te vetë qytetarët: A do të pranojnë vazhdimisht më të njëjtët lojtarë, apo do të kërkojnë realisht një sistem që u përgjigjet atyre? Pa pjesëmarrje të informuar dhe kërkesë për llogaridhënie, demokracia shqiptare është tashmë vetëm një formë pa përmbajtje. Që prodhon votime pa zgjedhje.

të ngjashme