AGIM BACI

Zgjedhjet na duhen, por a jemi gati të jetojmë me “virusin e ndershëmrisë”?

Profesor, kam dëgjuar se po të ecën fushata. Po flet gjëra të bukura. Më vjen mirë që të kam rival në këto zgjedhje. Vetëm se pas zgjedhjeve vjen... numërimi i votave...”. Ky është dialogu në komedinë italiane, “L’ora Legale” teksa kryebashkiaku i korruptuar dhe i kontestuar nga qytetarët, Patané takohet në qytet me rivalin e tij në zgjedhje, profesorin e shkollës së mesme në bashkinë Pietrammare.

Profesor, kam dëgjuar se po të ecën fushata. Po flet gjëra të bukura. Më vjen mirë që të kam rival në këto zgjedhje. Vetëm se pas zgjedhjeve vjen... numërimi i votave...”. Ky është dialogu në komedinë italiane, “L’ora Legale” teksa kryebashkiaku i korruptuar dhe i kontestuar nga qytetarët, Patané takohet në qytet me rivalin e tij në zgjedhje, profesorin e shkollës së mesme në bashkinë Pietrammare.

Një dialog që duket sikur ndodh në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, ku në mënyrë të hapur, sfida mes asaj që votohet dhe asaj që numërohet, mes asaj që shprehen se duan dhe asaj që bëjnë realisht, vijon të jetë një hendek që ka nevojë të fortë të këtë një zgjidhje.

E nëse shpesh,  në kohë fushate zgjedhore, pyetjet normalisht shkojnë drejt atyre që kandidojnë, drejt krerëve të partive, duket se kemi harruar një pyetje thelbësore: A janë qytetarët të gatshëm të jenë pjesë e zbatimit të ligjit? A kanë vërtet dëshirë qytetarët t’i japin fund një pushteti që bazohet te njohjet, te favoret dhe jo te ligji, ashtu siç ndodh në komedinë “L’ora legale”, me kryebashkiakun Patané?

A janë gati qytetarët për të jetuar sipas ligjit?

Komedia italiane, më shumë sesa ironinë me politikën, e ka me qytetarët. Filmi, që nis me një protestë mbarëqytetare kundër kryebashkiakut të korruptuar, shumë shpejt na pikturon me një sarkazëm të thellë një panoramë të pamenduar nga shumëkush që akuzon vetëm politikën:  i shumëprituri njeri i ligjit, njeri i pakorruptuar, nis të kthehet në një problem për të gjithë ata që thjesht janë ankuar për të keqen, që janë ankuar për ish-kryebashkiakun e korruptuar Patané.

Pra, ata që janë ankuar për kryebashkiakun e korruptuar del se nuk janë gati të bëjnë asnjë hap për të jetuar në mënyrë të ndershme dhe për të respektuar ligjin. Ironia bëhet edhe më therëse kur i deleguari i politikës qendrore, nga Roma, u drejtohet qytetarëve të Pietrammares, të mbledhur në Kishë, nën kryesimin e priftit, për të shpëtuar nga ajo që ai e quan “virusi i ndershmërisë”, një virus që rrezikon shumë rendin që është ngritur. “Çfarë ndodhi me ju, jugorët? Ju keni ditur të zgjidhni gjithnjë të korruptuarit. Ç’ju shkrepi në kokë të zgjidhnit këtë herë një të ndershëm? A e kemi sot luksin, me këtë krizë, ta kemi të përhapur njerëzit një fenomen me njerëz të ndershëm në të gjithë Italinë?”, pyet i dërguari i politikës qendrore të Romës që është shqetësuar se një qytet në Sicili ka vendosur të zgjedhë një njeri që zbaton ligjin dhe realizon ato që ka premtuar në programin e tij politik.

Pyetja që ngre komedia është pikërisht ajo së cilës ne kemi nevojë t’i përgjigjemi jo me slogane, por me veprime konkrete - A jemi ne gati të ndryshojmë edhe vetë për të qenë njerëz që zbatojmë ligjin, që denoncojmë të keqen? A jemi ne nga ata që luftojmë për të shmangur të keqen dhe për të udhëzuar nga e mira, apo e presim ndryshimin vetëm nga të tjerët, apo nga një njeri i vetëm?

Leksionet e “të korruptuarit”

Filmi mbyllet me shkarkimin e kryebashkiakut të ndershëm, të cilit, vetë ata që e kishin votuar për të bërë ndryshimin, i ngrenë në mënyrë të paligjshme brenda natës një shtëpi pa leje brenda oborrit të shtëpisë së tij, dhe më pas realizojnë kthimin në detyrë të kryebashkiakut të korruptuar dhe mafioz, që u rrëzua në zgjedhje nga ata që flisnin plot zell për ndryshim, por që vetë nuk donin të aplikonin asgjë nga ajo e shkuar e korruptuar. Pra, ka fituar dëshira për të qëndruar nën pushtetin e atyre që e konsiderojnë pushtetin si pronë, e ku ligji nuk ka ndonjë nderim.

Është pikërisht kjo mbyllje e filmit që ngre pikëpyetjet mbi pafuqinë që po tregojmë si shoqëri për të përqafuar të ligjshmen, të ndershmen, të vërtetën, edhe pse duket sikur të gjithë ata që flasin janë pro zbatimit të ligjit, pro së drejtës. Rikthimi i kryebashkiakut mafioz Patané në krye të qytetit, po nga ata që e kishin akuzuar si të korruptuar, është ironia e shoqërisë së sotme, e shoqërisë sonë, që nuk po gjen dot më rrugët për të mbështetur të ndershmin, që nuk është gati të jetojë duke respektuar ligjin, por vetëm ankohet pa mundur të jetë ai zbatuesi kryesor.

Paradoksi i “virusit të ndershmërisë”

Po ne, a do ta lejojmë “virusin e ndershmërisë” të bëhet pjesë e politikës, apo do të vijojmë të duartrokasim ata që tallen me ne, ata që në vend të shtrirjes së dorës përdorin gjuhën e urrejtjes? Edhe për këtë pyetje, filmi ka një nga cinizmat më therës që ka sjellë kinemaja, teksa prifti, duke komunikuar me qytetarët e zemëruar se po i lodh zbatimi i ligjit nga kryebashkiaku i ri, se po i lodh refuzimi i favoreve, u kujton atyre çastin kur populli i Judesë u pyet nga guvernatori Ponc Pilati, nëse do shpëtonin Barabën apo Jezu Krishtin, dhe njerëzit shpëtuan Barabën dhe çuan në kryqëzim Krishtin. “Populli zgjodhi Barabën ta shpëtojë, dhe kjo është parë gjithnjë si e gabuar. Por, vërtet kemi gabuar?”, pyet prifti - një pyetje therëse për këdo që sot, edhe pse thotë se do një politikë të ndershme, vijon të mos bëjë asgjë për të larguar nga politika ata që janë tallur, që shkelin ligjin, që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për asgjë që kanë bërë apo bëjnë ende dhe që përdorin gjuhën e urrejtjes në vend të zgjatjes së dorës për ata që duan një politikë në favor të një qeverisjeje për qytetarët.

L’ora Legale” është komedia që ia vlen ta shohim e rishohim jo për të qeshur, por për të menduar edhe një herë - përpara se të zgjedhim apo t’u besojmë të ardhmen tonë, a jemi ne gati të zbatojmë të parët ligjin, të mos kërkojmë favore dhe a jemi ne të parët që duhet të denoncojmë dhe ndëshkojmë korrupsionin?

Përse duhet të funksionojë më parë shoqëria e pastaj politika?

Politologu dhe esteti britanik, Roger Scruton, ishte i idesë se përveç rezultatit zgjedhor, një qeveri duhet ta qëndrojë si e pranueshme për publikun duke funksionuar përmes një shpirti publik dhe një komunikimi me qytetarët – një komunikim ku të mos synohet që ndaj tyre të krijohet vetëm bindja apo që ndaj tyre të funksionojë vetëm marrëdhënia demagogjike. Sipas Scruton-it, qeveria duhet të rrëfehet jo vetëm për atë që dëshiron, por sidomos për atë ç’ka bën bazuar në ligje në punën e saj. Por idetë politike të Scruton-it për një qeverisje me shpirt publik, që jep llogari për atë që bën, janë të kërcënuara sot fuqimisht nga shumë qytetarë që në vend të llogaridhënies për qeverinë fshihen pas bindjes dhe frikësimit që i bëhet nga pushteti.

Ne duhet të pranojmë se atje ku pushteti ka funksionuar duke aplikuar llogaridhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë ka ardhur dhe vjen prej faktit se njerëzit nuk janë strukur, por kanë ngritur zërin për zbatimin e ligjit, për të drejtën, edhe kur ndaj tyre pushteti ka përdorur me frikësimin apo ndëshkimin e kujtdo që mendon ndryshe.

Fatkeqësisht, në Shqipëri, të parët që ngurojnë për të kundërshtuar një politikë të ushtrimit të frikës dhe bindjes, një politikë pa llogaridhënie dhe alternativa, janë ato pjesëtarë të shoqërisë që njihen me emrin intelektualë, të cilët më së shumti njihen vetëm për frazat demotivuese- “Ne nuk bëhemi”, “ne nuk dimë”, “ne jemi të paaftë”, “ne nuk ndryshojmë”, duke sjellë kështu një tërheqje të qytetarëve ndaj kërkimit të llogarisë.

Kështu, nën pushtetin e kulturës së frikës, intelektualët kanë shmangur përgjegjësitë individuale për të kërkuar rrugëzgjidhje më të mirë politike dhe sociale, duke nisur nga kuraja e tyre personale që duhej të kishin treguar për të ngritur zërin mbi gjendjen në shoqëri dhe qeverisje. Madje edhe më keq, intelektualët prej kohësh janë kthyer në një skelet ideologjik të pushteteve, duke shtuar edhe më shumë frikën se shoqëria shqiptare nuk ka arritur të shkëputet nga amullia njerëzore e dehumanizimit nën diktaturë, ku për mbijetesë askush nuk e kishte problem t’i thoshte të bardhës të zezë e të zezës të bardhë.

Kultura e debatit për qeverinë dhe opozitën

Ky kompromis i vazhdueshëm i qytetarëve më kulturën e frikës dhe të bindjes ka zhdukur prej kohësh guximin për t’u kërkuar llogari atyre që i votojmë, atyre që u japim pushtet. Ndaj dhe shumëkush e merr fare lehtë me mend se qeveria do ishte më në siklet përballë qytetarëve nëse do kishim shumë emisione politike apo sondazhe ku do të flitej më shumë për punën e qeverisë, e sidomos nëse do të pyeteshin qytetarët se sa e angazhuar është mazhoranca në zbatimin e ligjit. Emisione apo sondazhe të tilla mund të sillnin një ndryshim të opinionit publik, ndaj qeveria prej kohësh ka shmangur praninë në debate televizive, duke lënë në qendër të debatit krahasime vetëm me opozitën, a thua se në këto vite të qeverisjes së Ramës ka pasur po aq pushtet në vendime edhe mazhoranca edhe opozita.

Padyshim që opozita është një element i rëndësishëm për funksionimin e demokracisë, dhe si e tillë duhet gjykuar në atë që shfaq, në mënyrën sesi ia kërkon besimin publikut për të ardhur në pushtet, në aftësinë e saj për t’u kthyer në instrument në duart e qytetarëve për të përmirësuar qeverisjen dhe jo jetën e një grupi. Është po kaq e rëndësishme që opozita të pyesë vetveten se ku përfundon ajo pjesë e shoqërisë që nuk mbështet qeverinë, por që nuk arrin të jetë as në krah të tyre. Gjithsesi mbetet absurde që të kërkosh të njëjtën përgjegjësi publike tek opozita sesa te mazhoranca, pasi është kjo e fundit që merr vendime për fatin e qytetarëve.

...Ne kemi nevojë për shpirtin publik dhe llogaridhënien e atyre që na drejtojnë. Por për të kërkuar një gjë të tillë nevojitet që, së pari, duhet të mendojmë se jemi ne ata që mund të bëjmë ndryshimin, që mund të kërkojmë të vendoset pushteti i llogaridhënies. Nëse nuk arrijmë të mësohemi me “virusin e ndershmërisë”, rruga për t’u bërë të besueshëm në atë që kërkojmë është një mision cinik dhe i pamundur.

të ngjashme