Popujt që ndodheshin në periudha pagjumësie përbënin një shqetësim serioz për shtetin, sepse pas pagjumësisë gjithmonë pritej diçka e befasishme. Prandaj, kur Tabir Saraji sinjalizonte shenjat e para të pagjumësisë, shteti merrte masa të ngutshme për t’i dalë përpara së keqes. Inspektori i kishte thënë se “Një popull quhet që ka rënë në pagjumësi, kur sasia e gjumit të tij është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme
Popujt që ndodheshin në periudha pagjumësie përbënin një shqetësim serioz për shtetin, sepse pas pagjumësisë gjithmonë pritej diçka e befasishme. Prandaj, kur Tabir Saraji sinjalizonte shenjat e para të pagjumësisë, shteti merrte masa të ngutshme për t’i dalë përpara së keqes. Inspektori i kishte thënë se “Një popull quhet që ka rënë në pagjumësi, kur sasia e gjumit të tij është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme, në krahasim me periudhat normale të tij. Dhe për këtë gjë, kush mund të na sinjalizojë më mirë se Tabir Saraji? Është e vërtetë, i kishte thënë Ebu Qerimi, është krejtësisht ashtu. Atij i qenë kujtuar netët e veta pa gjumë kohët e fundit, por aty për aty kishte menduar se pagjumësia e një populli duhej të ishte diçka krejtësisht e ndryshme nga pagjumësia e një njeriu. Popujt duhet të ëndërrojnë dhe mandej t’i rrëfejnë ëndrrat e tyre. Ëndrrat e popullit janë një ndihmë e madhe për shtetin, pasi në këtë mënyrë ky i fundit mund të përgatitet për rreziqe të mundshme, pasi të gjitha tragjeditë, përpara se të ndodhin, shfaqen fillimisht në botën e ëndrrave”.
(Ismail Kadare, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”)
Rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit i dha Partisë Socialiste një fitore rekord për qeverisjen e vendit në mandatin e saj të katërt. Përkundër argumenteve racionale gjatë periudhës parazgjedhore mbi konsumimin e pushtetit, hetimit për korrupsion të shumë figurave qendrore të qeverisë apo dështimin në objektivat në dukje më modeste të tre mandateve të para, partia në pushtet kësaj here i ofroi votuesve ëndrrën që do të zgjidhë çdo premtim të papërmbushur, ëndrrën e ëndrrave, kryeëndrrën: integrimin në Bashkimin Evropian. Siç shprehej Rama gjatë fushatës, anëtarësimi në BE do të shërbejë si zgjidhje për çdo lloj problematike ende të pazgjidhur në kohën e qeverisjes së tij: që nga cilësia e arsimit, e shëndetësisë, uji 24 orë, çështjen e pensioneve, punësimin informal, pagat dinjitoze, etj. Mirëpo Kryeëndrra në fjalë i jep përgjigje një çështjeje më thelbësore, e cila aktivizon shpresën dhe pritshmërinë e votuesve në çdo periudhë zgjedhore: atë të dëshirës së një populli për ndryshim. Duke e lexuar siç duhet këtë kërkesë të elektoratit, Partia Socialiste arriti ta monopolizojë diskursin mbi ndryshimin nëpërmjet arritjes historike që do të ishte për vendin anëtarësimi në BE. Pavarësisht suksesit relativ të partive të reja në përpjekjet për të sjellë në vëmendje çështje sa më specifike që kanë impakt të drejtpërdrejtë mbi shoqërinë, si rritja e çmimit të apartamenteve, pensionet apo oligarkia ekonomike, diskursi i tyre për ndryshim ishte qysh në krye të herës i margjinalizuar nga makineria propagandistike e qeverisë që premtonte një ndryshim jo thjesht në kushtet e rotacionit politik, por një transformim epokal, realizimin e një ëndrre mijëvjeçare që do të kremtohet në vitin 2030 dhe do të sjellë parajsën mbi tokë pas gjithë këtyre viteve sakrifice. Në këtë kuptim, diskursi mbi integrimin që u përdor nga mazhoranca këtë fushatë as nuk pasqyron realitetin shoqëror dhe as nuk synon të ofrojë një zgjidhje konkrete mbi çështjet që partitë e tjera janë përpjekur vazhdimisht t’i parashtrojnë në debatin publik, përkundrazi, e gjithë fushata pikësëpari u ndërtua mbi idenë se të gjitha problemet në vendin tonë do të zhduken sapo të marrim të ashtuquajturën ‘pasaportë evropiane’. Përmes kësaj strategjie, Rama mëtoi të përfaqësojë atë shumicë të popullsisë që besojnë se ky vend nuk bëhet dhe e vetmja zgjidhje është emigrimi, vetëm se nuk do jetë e nevojshme që shqiptarët të largohen drejt BE-së, por është BE-ja që do të vijë te ne “jo sepse ne jemi më të mirët, por sepse yjet janë rreshtuar për shkak të kontekstit specifik në të cilin ndodhet BE”. Kësisoj nëse yjet për Ramën janë rreshtuar, përse duhet t’u premtojë njerëzve përmirësimin e realitetit kur mund t’u premtojë realizimin e një ëndrre? Çfarë kuptimi do të kishte që të vazhdonte të premtonte ujin 24 orë dhe shëndetësinë falas, përderisa këto nuk ka arritur t’i realizojë prej më shumë se një dekade? Ëndrra e integrimit jo vetëm kryen funksionin e përmbushjes së dëshirave të të gjithë shqiptarëve njëherësh, por njëkohësisht ajo ka fuqinë të pezullojë çfarëdolloj çështjeje ende të pazgjidhur në tranzicionin e vendit tonë. Të tilla ëndrra kolektive mund të shërbejnë si udhërrëfyes në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e realitetit shoqëror, por nga ana tjetër mund të luajnë rolin e garancisë në çmontimin e çfarëdolloj agjencie, institucioni apo përkatësie ku realiteti formësohet. Diktaturat e shekullit të njëzet na mësuan se ndjekja e një ëndrre kolektive mund të çojë në shkatërrimin e plotë të institucioneve, lirisë politike dhe ndërveprimin mes njerëzve në tërësi. Kurse Rama na tregoi gjatë Samitit të BE vetëm pak ditë pas zgjedhjeve se në fakt nuk bëhet fjalë për një ëndërr, por për një realitet që pritet të materializohet shumë shpejt. Legjitimiteti i Ramës pas këtij Samiti eklipson çfarëdolloj pretendimi të opozitës për manipulim të votës së lirë, akuzave për shitblerje vote, patronazhizmin apo përdorimin e administratës publike për qëllime elektorale. Hegjemonia e ëndrrës për integrim mbetet e pathyeshme përballë cilitdo ligjërim alternativ që mëton të na ftojë në realitet duke kritikuar korrupsionin e thellë të gjithë aparatit shtetëror, përdorimin politik të kulturës së klientelizmit për të premtuar vende pune në këmbim të votës apo mungesës së transparencës për financimin e fushatës së partive politike, ku dyshohet se një pjesë e madhe financohen nga krimi i organizuar. Për rrjedhojë, akuzat kundër qeverisë sot fare mirë mund të paraqiten si kritika kundër integrimit evropian. Por a mundet që një vend i cili ka probleme të theksuara me kulturën demokratike të realizojë integrimin në BE, ose më saktë: cili është roli që luan diskursi për integrim në ruajtjen dhe fuqizimin e një pushteti që dominon pothuajse çdo sektor të shoqërisë?
Të ëndërrosh për integrim nën hijen e autoritarizmit konkurrues
Në shoqëritë e shënjuara nga tranzicioni, krizat politike dhe varësia ndaj shtetit, betejat politike nuk zhvillohen vetëm mbi burime materiale apo politika konkrete, por mbi kapitalizimin e ëndrrave për ndryshim të elektoratit. Koncepti i hegjemonisë politike të ëndrrave i referohet pikërisht kësaj dinamike: aftësisë së një pushteti për të formësuar, disiplinuar dhe monopolizuar atë që njerëzit guxojnë të shpresojnë për të ardhmen e tyre. Nuk ka të bëjë vetëm me kontrollin e narrativave, por me strukturimin e asaj që duhet konsideruar si e dëshirueshme dhe kush ka të drejtën ta premtojë dhe garantojë atë.
Në zgjedhjet e 11 Majit, mesazhi i Partisë Socialiste ishte i qartë: ne jemi e vetmja rrugë drejt Europës. Ne jemi të vetmit që kemi kapacitetet e duhura për ta realizuar ëndrrën e integrimit. Çdo vizion tjetër, qoftë nga opozita e fragmentuar apo nga partitë e reja që kërkonin reforma të thella, u përjashtua jo përmes debatit, por përmes mungesës së fuqisë për ta projektuar këtë ëndërr tek imagjinata e votuesve. Ata thjesht nuk mund të premtonin një ëndërr më të mirë për ndryshim. Ëndrra evropiane u paraqit si e afërt, e prekshme dhe e dobishme për të gjithë. Kryeministri Rama, në shumë fjalime elektorale, nuk foli në terma teknokratikë, por me tone thuajse fetare: Europa po vjen. Europa është mes nesh. Viti 2030 u përsërit si një mantra, edhe pse nuk kishte asnjë garanci konkrete nga Brukseli. Ky veprim simbolik i lejoi Partisë Socialiste të përvetësonte jo vetëm votat, por edhe kapitalin e duhur njerëzor që do të mundësonte monopolizimin e informalitetit. Në fakt, vetë tranzicioni postkomunist u ndërtua mbi ëndrrën e orientimit kah Perëndimi. Por faza aktuale karakterizohet nga një intensifikim dhe trumbetim i mëtejshëm i kësaj ëndrre brenda kornizave të privatizimin e shpresës së njerëzve, brenda përfytyrimit të një miratimi të heshtur nga Perëndimit. Nëse në fillimvitet 2000 ishte e qartë se në mungesë të reformave të thella, integrimi qe një objektiv i paarritshëm, ajo çka qeveria ka sjellë si risi gjatë mandateve të fundit është ideja se mjafton të projektohet së jashtmi imazhi i ndryshimit, pavarësisht se brenda vendit realiteti mund të jetë krejt tjetër. Për pasojë, shteti nuk premton më reforma radikale mbi përmirësimin e nivelit të demokracisë, pavarësinë e administratës, drejtësisë, arsimit, spitaleve, infrastrukturës etj. Përkundrazi, ai projekton në shoqëri një metarealitet ku çdo ditë po ndërtohen shkolla, rrugë, tunele, po riparohen qendrat mjekësore dhe spitalet, po përfundojnë punimet për rijetësimin e hekurudhës, po arrestohen njerëz që shpërdorojnë detyrën dhe mbi të gjitha po bëhet lufta më e madhe kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë që ky vend ka parë ndonjëherë. Duke vepruar kështu, shteti qeveris jo përmes dhunës siç ka ndodhur në të shkuarën, por përmes projektimit të këtij mbirealiteti ku të gjithë punojnë për ta shtruar së bashku rrugën drejt Evropës. Ky është kuptimi i vërtetë i hegjemonisë mbi ëndrrën evropiane: kur vetë imagjinata e ndryshimit bëhet instrument i sundimit, stagnacioni dhe rritja e kriminalitetit ambalazhohen me etiketën e progresit.
Mirëpo nga ana tjetër e realitetit qëndron rreziku i fuqizimit të autoritarizmit. Autorët e shkencave politike Steven Levitsky dhe Lucan Way kanë përdorur konceptin e autoritarizmit konkurrues për të shpjeguar prirjet autokratike të vendeve si Turqia, Serbia dhe Hungaria gjatë dekadave të fundit, ku pavarësisht pranisë formale të pluralizmit politik, opozita më tepër kryen funksionin e maskimit të autoritarizmit me dukjen e një demokracie sesa ka mundësi reale për marrjen e pushtetit. Në fakt edhe në vende që janë pjesë e BE-së, si Hungaria, Rumania dhe Bullgaria janë vërejtur fenomene të tilla si shitblerja e votës (zgjedhjet e fundit për parlamentin evropian në Bullgari janë rasti tipik që na tregon se as integrimi nuk mund ta parandalojë kthimin e votës në mall për t’u shitur), censura ndaj medias, përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale apo kontrolli politik i sistemit të drejtësisë. Ajo çka e karakterizon autoritarizmin konkurrues është ekzistenca vetëm më nivel formal e institucioneve demokratike, zgjedhjeve dhe e opozitës, ndonëse në të vërtetë terreni është krejtësisht i pabarabartë dhe demokracia funksionon vetëm si fasadë e një autoritarizmi strukturor. Në të njëjtën linjë mund të identifikohet edhe sistemi politik në Shqipëri, ku Partia Demokratike, edhe nga kritikët ndaj qeverisë, më tepër konsiderohet si shkaku kryesor për marrjen e mandatit të katërt nga PS, sesa një opozitë që mund ta reduktojë sadopak pushtetin e pakufizuar të mazhorancës. Për rrjedhojë, ndër tiparet themelore të opozitës në sistemet politike të karakterizuara nga autoritarizmi konkurrues është se në vend që ta rrëzojë qeverinë, në fakt opozita në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi e legjitimon atë. Kësisoj, opozita ka një funksion kyç në ruajtjen e iluzionit të garës elektorale nën një sistem me tipare të theksuara autokratike.
Nëse e shohim në retrospektivë, është e qartë se në ditët tona, komuniteti ndërkombëtar është shumë më pak “armiqësor” ndaj regjimeve të autoritarizmit konkurrues – të paktën për sa kohë rregullat e lojës së demokracisë formalisht vijojnë të zbatohen - sesa ishte në dekadën e parë pas fundit të Luftës së Ftohtë. Aktualisht autoritarizmi konkurrues është duke u përhapur edhe në shtetet anëtare të BE-së si rrjedhojë e mbështetjes në rritje për partitë populiste antiemigracion, madje edhe në vende, si Hungaria dhe Polonia, të cilat në fillimvitet 2000 konsideroheshin si shtete demokratike, sipas të dhënave të Freedom House, gradualisht po zhvendosen drejt regjimeve hibride. Sipas politologut Steven Levitsky, “Vende si Shqipëria apo Rumania gjatë viteve ‘90 e kishin të gjithë strukturën e shoqërisë të gatshme për të qenë një regjim i mirëfilltë autokratik dhe në mungesë të influencës së komunitetit ndërkombëtar ato me siguri do të ishin rikthyer të funksiononin zyrtarisht si autokraci”. Me kalimin e viteve u bë e qartë se autoritarizmi konkurrues dhe zbatimi i parimeve formale të demokracisë mund ta sigurojë mbështetjen e Perëndimit po njësoj si një demokraci e mirëfilltë. Autorët kanë nënvizuar se regjimet e autoritarizmit konkurrues kanë një prirje për t’u përhapur me më tepër lehtësi në vendet postkomuniste të Evropës Lindore, Qendrore dhe Juglindore. Në shumicën e këtyre shteteve, për shkak të nivelit të ulët të jetesës, mungesës së traditës demokratike, mungesës së zhvillimit të institucioneve dhe shtetit të së drejtës, shoqërisë civile apo sektorit privat, kushtet për konsolidimin e demokracisë ishin shumë të vështira për t’u krijuar. Mungesa e zhvillimit të institucioneve politike i bën ato më lehtësisht të kontrollueshme dhe më të prirura për t’u përdorur elektoralisht nga partia në pushtet. Gjithashtu, kur abuzimet me pushtetin ndodhin, protestat e opozitës apo kërkesat për llogaridhënie bëhen krejtësisht të paefektshme, sikurse çfarëdolloj mekanizmi institucional që ndihmon në zbatimin e parimit demokratik check and balance. Megjithatë, autorët shpjegojnë se miratimi i komunitetit ndërkombëtar vijon të jetë një faktor legjitimiteti tejet i rëndësishëm dhe paraqet një ndër pengesat kryesore që i parandalon këto shtete për t’u rikthyer në një autokraci tradicionale të ngjashme me regjimet autoritare të shekullit të njëzet. I tillë është edhe rasti i Shqipërisë ku negociatat me BE-në janë një mjet legjitimimi për demokracinë shumë më tepër se zgjedhjet e 11 Majit. Mbi të gjitha, ëndrra e pasaportës evropiane e lë krejtësisht në hije realitetin ku grupet kriminale në Shqipëri, siç duket nga raportimi i mediave ndërkombëtare, dukshëm e kanë përmirësuar rolin e tyre në trafikun ndërkombëtar të drogës. Takimi me liderët evropianë e bën edhe më të imagjinueshme ëndrrën e integrimit dhe njëherësh krijon frymëzimin e nevojshëm që klientela politike e pallatit të ëndrrave të rifillojë fushatën e seleksionimit dhe qërimit të ëndrrave në emër të mbarëvajtjes së mandatit të katërt.