SEBASTIAN ZONJA

“PD-ja humbi. (S)a e ka fajin e ka PD-ja?!”

Edhe këto zgjedhje shkuam me kënaqësi në votime. U renditëm me krenari ndër popujt që votojnë masivisht. Nuk biem kurrë nën 70 %. Të regjistruar në zyrat e gjendjes civile jemi 3 milionë e ca, por brenda, bashkë me fëmijët dhe ata që s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë, bëhemi rreth 2 milionë e pak.

Sovrani foli

Edhe këto zgjedhje shkuam me kënaqësi në votime. U renditëm me krenari ndër popujt që votojnë masivisht. Nuk biem kurrë nën 70 %. Të regjistruar në zyrat e gjendjes civile jemi 3 milionë e ca, por brenda, bashkë me fëmijët dhe ata që s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë, bëhemi rreth 2 milionë e pak. Si gjithnjë, pas fitoreve dhe humbjeve plebishitare, nisin edhe analizat për modalitetet e vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve. Kësaj radhe, për shembull, duke qenë se partitë e mëdha nuk kishin shumë parti të vogla nëpër këmbë, filluan kandidatët të vjedhin njëri- tjetrin. Dikush duhet të vjedhë diçka, përndryshe nuk mund të legjitimohet shprehja “Pse Danimarkë jemi ne?!”. Ata të qeverisë u ndaluan të kërkojnë ndonjë verifikim nëse ka manipulim. Partia e di se kush ka manipuluar, por do të marrë masa pasi të kthehet nga pushimet verore. Këta në opozitë kanë filluar luftën në disa fronte – me pushtetin, me njëri-tjetrin dhe tek-tuk me kryetarin dhe kryesinë.

Purgatori moral

Sërish u shpall me të madhe fakti i ditur botërisht se në Shqipëri përdoret administrata në zgjedhje. E pafalshme. Duhen njoftuar gjithë organizmat ndërkombëtarë. Bota duhet ta marrë vesh se ç’ka ndodhur në këtë vend! Por duhet ta marrë vesh ajo botë që është konservatore, se bota liberale është kapur nga Sorosi. Kësisoj kemi mbetur në këtë purgator moral të shprehjes “bota po shkon kah”, apo “e di bota”. Në asnjë rast në historinë e mendimit politik nuk ka pasur ndonjëherë fuqi normuese shprehja se “bota po shkon kah”, përveçse këto 3 dekada në Shqipëri. Edi Rama ka evropianët dhe ndërkombëtarët e vet. Sali Berisha ka evropianët dhe ndërkombëtarët e vet. Vetëm shqiptarët s’ka kush t’i dëgjojë sepse, siç e thamë më sipër, ata folën me anë të votës së tyre, ndërsa tani betejën e bëjnë liderët.

Konservatorë bashkohuni!

Bota po bëhet konservatore ishte lajtmotivi i opozitës. Faktikisht, bota nuk po bëhet konservatore, as liberale, as komuniste, as kapitaliste. Vende të ndryshme po zgjedhin qeveritë e tyre duke marrë shkas nga problemet që kanë dhe zgjidhjet që u ofrohen. Në fillim të qershorit u bënë zgjedhjet presidenciale në Poloni. Fitoi sërish kandidati konservator. Sapo dolën rezultatet të nesërmen, kryeministri kërkoi votëbesim në parlament. Pse kërkoi të legjitimojë pushtetin kryeministri kur është zgjedhur një herë me votë? Këtu tek ne u arrestua kryebashkiaku i Tiranës e sa e sa të tjerë, por nuk shkohet në votëbesim fare.

Konservatorizmi polak dhe trampizmi “copy paste” në PD

Me rezultat të ngushtë u rizgjodh në postin e presidentit historiani konservator Karol Navrocki. Nuk është ndonjë ndryshim i madh, sepse edhe presidenti i shkuar ishte konservator. Por është me rëndësi fakti se si konservatorët ruajtën fuqinë e tyre, forma ligjërimore që ndërtuan dhe fushata që kryen.

Navrocki ishte kandidat i pavarur, mbështetej nga partia “Ligj dhe Drejtësi” (PiS) dhe fitoi me 50.89% të votave. Në garë përballë tij ishte Rafall Trzaskovski, kryebashkiaku liberal i Varshavës dhe aleat i kryeministrit Donald Tusk. Zgjedhjet u ndoqën me vëmendje nga gjithë vendet evropiane. Polonia ka marrë rëndësi të veçantë me fillimin e luftës në Ukrainë; ka pozicionim të qartë në frontin lindor të NATO-s, ndërsa është aleate e palëkundur amerikane duke parë historinë e saj që e pëson sa herë fuqizohet Gjermania apo Rusia.

Analizat e medieve polake shkruajnë se këto zgjedhje nxorën në pah ndarjet e thella mes zonave urbane (të cilat janë liberale) dhe rajoneve rurale (që janë konservatorë). Duke qenë se narrativën liberale e dëgjojmë pak më shpesh, po sjellim më poshtë narrativën konservatore me të cilën fitoi kandidati polak.

Navrocki e vuri theksin te sovraniteti polak, duke kundërshtuar burokracinë e Brukselit. Ky qëndrim është në sintoni me votuesit konservatorë polakë, të cilët janë skeptikë ndaj BE-së. Po ashtu, vret veshin edhe të shumë votuesve të tjerë të cilët thonë “ne votojmë për ndryshime politikash, por burokratët dhe teknokratët nuk lëvizin nga istikami i tyre”. Kësisoj, burokracia është kthyer në një lloj problemi për shumë vende.

Një tjetër pikë që ai solli në diskurin publik është tradicionalizmi polak, rrënjosur në katolicizëm. Ndërsa filloi të promovonte fenë në sferën publike, analistët shkruajnë se duke kopjuar Donald Trampin, Navrocki tërhoqi votuesit konservatorë mbi të cilët Kisha ka ndikim të madh. Argumenti që ai përdori kundër politikave liberale LGBT dhe për abortin kishte të bënte me përforcimin e vlerave konservatore në shoqërinë polake. Edhe kjo është pikë interesante, sepse feja përherë e më shumë po përdoret si makijazh për pushtetin, jo për t'i thënë të bardhës të bardhë, e të zezës të zezë. Këto iftaret e Erion Veliajt dhe Edi Ramës, vajtjet në Kishë dhe përvetësimi i klerit në funksion të makinerisë së propagandës kanë irrituar qytetarët. E thënë më thjesht, nëse as hoxha e prifti s’ia thotë dot se këtu e ke gabim, kush do t’ia thotë?

Ndaj, në shumë vende ka nisur të ndërtohet dhe qartësohet një mesazh fetar që del jashtë mureve të aparatit dhe nacionalizmit shtetëror, për të përshkuar krejt njerëzimin, siç është mesazhi i vërtetë i Librave të Shenjtë dhe Profetëve.

Ngjashëm me presidentin amerikan Donald Tramp, edhe kandidati polak përdori sloganin “Polonia e Para” - politika ekonomike dhe sociale që favorizojnë polakët. Në politikë kjo risjell në vëmendje argumentin e gjithëpranuar – në të mirë të publikut – ndërkohë, disa lexues të Adam Smithin pa e bashkëshoqëruar me Xhon Lokun janë kundër dhe i cilësojnë komuniste këto politika.

Sa i përket luftës në Ukrainë, të dyja palët janë në mbështetje të Kievit, ndryshe nga e djathta orbaniste që favorizon një qasje tjetër – mirë me Kinën, mirë me Rusinë. Gjatë fushatës, Navrocki kundërshtoi integrimin e shpejtë të Ukrainës në NATO dhe BE. Sipas sondazheve të brendshme të partisë konservatore polake, votuesit e saj ishin të shqetësuar për sigurinë kombëtare dhe barrën ekonomike të luftës dhe refugjatëve, ndaj duhej ndryshuar disi qasja, duke u përafruar me SHBA-të. Për të shkuar në këtë pikë, ai shkoi dhe vendosi kurora me lule në njërin prej monumenteve që përkujton polakët e vrarë nga nacionalistët ukrainas gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në publik shpërthyen polemikat dhe votuesit nacionalistë polakë u grupuan te partia e tyre.

Ngjashëm me liberalët, edhe konservatorët duan ushtri të madhe dhe profesionale. Presidenti i ri tha se do ta çojë në 300 000 numrin e ushtarëve, do të forcojë aleancën me SHBA-në dhe do të ushtrojë kontroll më të rreptë kufitar. Aktualisht, SHBA-të kanë të stacionuara 10 000 trupa në Poloni.

Si historian profesionist, në pozicionin e kreut të Institutit të Kujtesës Kombëtare, Navrocki promovoi interpretimin nacionalist të historisë polake, duke theksuar narrativat antikomuniste dhe vuajtjet e Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Votuesit e djathtë u mblodhën menjëherë afër tij.

Nuk dihet sa do të realizohen, por ai premtoi edhe zhvillimin e potencialeve të energjisë bërthamore dhe zgjerimin e porteve të Baltikut, për ta pozicionuar Poloninë qendër rajonale të zhvillimeve në Lindje të Evropës.

Duke qenë se Polonia ka pasur hov ekonomik vitet e fundit dhe bum në sektorin e ndërtimit, presidenti i ri premtoi se pronarët e tri ose më shumë apartamenteve, me përjashtim familjet me disa fëmijë, do taksohen më shumë se aktualisht. Sipas analistëve, kjo nismë vjen për të adresuar pabarazitë në strehim dhe për të tërhequr votuesit nga klasa punëtore.

Çfarë kuptojmë nga këto pika?

Konservatorizmi shqiptar ka trajtën e vet. Ne jemi vend monoetnik me emigracion të paktë. Trajtat e nacionalizmit i kemi ndryshe nga fqinjët dhe kemi shkëputur furnizimin e konservatorizmit nga feja për shkak të së shkuarës zogiste dhe komuniste. Nacionalizmi ynë ka trajtë humaniste, sepse lindi në atë peridhë. Humanizmi, në një formë, është fe e shekullarizuar.

Një faktor tjetër është popullsia më e madhe rurale se ajo urbane. Debati pro dhe kundër Bashkimit Evropian është paradoksal. Në zonat rurale janë pro, në zonat urbane ka zëra kundër. Zërat kundër janë interesantë, se fillojnë që nga ata që argumentojnë qartë mbi pasojat negative, deri te konspiracionistët me Soros dhe Iluminati. Kësisoj, kuptojmë se përkthimi shabllon i konservatorizmit trampist është marrëzi. E pamë gjatë kësaj fushate se sa pa formë doli fushata e përshtatur me “Google Translate”.

Kandidati në Poloni përfaqësonte shpresë për të shkuar diku dhe frymë. Sali Berisha dhe PD-ja e sotme përfaqëson historinë ku kemi qenë.

Në pamundësi që Partia Demokratike të ndërtojë një vizion për të ardhmen, konservator apo të moderuar, do bjerret përditë e më shumë në historitë e vitit 1990. Si sot 35 vjet më parë, Berisha mban afër vetes ata që thotë se ishin guximtarë për të rrëzuar diktaturën. Ndërkohë, misioni i sotshëm është tjetër – pushteti është kalcifikuar dhe duhet një lloj tjetër guximi, të thuash në publik se do zgjidhësh problemet që kanë shkaktuar ato emra që Sali Berisha dhe kryesia e tij e ngushtë nuk guxojnë t’i përmendin. Vetëm kështu ngjit fushata antikorrupsion. Si ka mundësi që fushata antikorrupsion ngjit në Mal të Zi, në Bullgari e vende të tjera, që kanë nivele korrupsioni të ngjashme me ne, por këtu s’ngjit? Sepse kur hajduti bërtet kapeni hajdutin, askush s’e beson.

Partia Demokratike në Shqipëri s’ka asnjë akuzë reale për sektorin e ndërtimit dhe çmimet e papërballueshme për shtresën e mesme. Edhe kur bëzan, janë akuza në ajër.

Mësimi që na vjen nga Varshava është se kemi dy lloje të djathtash sot nëpër Evropë – njëra që pëlqen aleancë më të ngushtë me Kinën dhe Rusinë (Orban – Le Pen) dhe tjetra transatlantike (Meloni – Navrocki). Ne e kemi të qartë se jemi në krahun e aleancës transatlantike. Edhe në këtë pikë, fatkeqësisht, Edi Rama ka lidhje më të forta me të djathtën evropiane se Partia Demokratike. Pse? Sepse Sali Berisha me kapojt e vet nuk lejon askënd që ka mendim dhe di gjuhë të huaja të bëjë prokopi në atë Parti. Ose do jenë të gjitha kontaktet në funksion të zgjidhjes së problemeve të Sali Berishës dhe familjes, ose ul kokën dhe hesht.

Ndryshe nga e djathta polake që kërkon të vijë në pushtet, e djathta jonë ka rënë pre e konspiracioneve dhe luftës së brendshme. Në vend që të mundë Edi Ramën, merret gjithë ditën si t’i mbushë mendjen shqiptarëve se Xhorxh Sorosi kontrollon Amerikën dhe se si të asgjësojë nga skena politike partitë e reja.

Së shpejti janë zgjedhjet vendore në Tiranë. Me gabimet e njëpasnjëshme (braktisja e reformës territoriale; mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore dhe djegia e mandateve të deputetëve për hir të pushtetit të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës) është çudi se si PD-ja mbetet ende më këmbë. Këtë meritë e kanë demokratët, se të jetë për lidershipin shihet qartë se ku e kanë degdisur këtë subjekt politik.

Deri ditën që Partia Demokratike do të kuptojë se Sali Berisha i përket historisë dhe ka djem të rinj e vajza të reja që janë të afta të ndërtojnë diskur të ri, t’i japin frymë të re, të bëjnë opozitë të denjë, do vijojmë të merremi me debatet shterpë të largimit apo qëndrimit të Berishës, figura e të cilit tashmë s’ka më asnjë peshë për dekadën e ardhshme të historisë politike shqiptare.

Autokrati Rama

Autokrat është Vladimir Putini. Autokrat është Nikolas Maduro. Autokrat është ndonjë lider që ka naftë dhe pasuri minerare të mëdha. Por ne e kemi shpallur edhe Edi Ramën tonë autokrat. Çështje terminologjie. Ka kushte autokracia, se s’është kot. Autokratët s’janë të varur shumë nga një qendër pushteti. Ne jemi plotësisht të varur nga Amerika. Autokratët s’janë të varur nga oligarkët. Këtu janë në simbiozë. Autokratët s’janë të varur nga opozita. Këtu opozita desh fitoi zgjedhjet radhën e shkuar, në vitin 2021. Kemi gjetur një term edhe për këtë kryeministrin tonë. Duke qenë se kemi vështirësi për të bërë studime të thelluara politike për realitetin tonë, marrim hua terma dhe emërtesa.

Berisha, ik!

“Nano, ik!”, “Rama, ik!”, “Berisha, ik!”… por të gjithë këta kanë ikur kur kanë dashur vetë. Debati, si gjithnjë, duhet të mbetet brenda suazës nëse duhet të qëndrojë apo të shkojë. Operatorët ndërlidhës të ikjes apo qëndrimit nuk hyjnë në punë.  Është si ajo shprehja “Mbreti vdiq! Rroftë mbreti!”. Pushteti nuk ka vakum. Këtu tek ne as debati s’ka ndalesë, sepse dikush duhet të ik gjithnjë. Nuk dihet asnjëherë se kush do të vijë, si do të vijë, pse do të vijë, por ngjan se dikush është pas dere për të bërë realitet ëndrrat e lëna përgjysmë nga Fatos Nano, Edi Rama apo Sali Berisha. Mbetet ende mister se pse ne themi të ikin këta dhe përfundojmë duke na ikur familjarët në emigrim.

të ngjashme