Nëse vëzhgon gjuhën me të cilën Rama dhe Berisha sulmojnë njëri-tjetrin, duket se ka një betejë për jetë a vdekje mes tyre, por duke parë mënyrën sesi luhet realisht politika, nuk është e vështirë të kuptosh se, përtej gjuhës së ashpër konfliktuale, ka një mirëkuptim të ndërsjellë midis tyre. Pa llogaritur këtu lidhjet e përbashkëta dhe përfitimet edhe ekonomike midis tyre, ka një mori veprimesh mes palëve që qartazi çojnë ujë në mullinjtë reciprokë të secilit.
Nëse vëzhgon gjuhën me të cilën Rama dhe Berisha sulmojnë njëri-tjetrin, duket se ka një betejë për jetë a vdekje mes tyre, por duke parë mënyrën sesi luhet realisht politika, nuk është e vështirë të kuptosh se, përtej gjuhës së ashpër konfliktuale, ka një mirëkuptim të ndërsjellë midis tyre. Pa llogaritur këtu lidhjet e përbashkëta dhe përfitimet edhe ekonomike midis tyre, ka një mori veprimesh mes palëve që qartazi çojnë ujë në mullinjtë reciprokë të secilit. Në fakt, një lexim në distancë, përtej batareve të nxehta të politikës së ditës, na tregon sesi këto batare, në vend të kundërshtarit, vrasin në të vërtetë vetëdijen e publikut për nevojën që vendi ka për ndryshim, për një politikë të re e aktorë të rinj të painkriminuar.
Një lexim i tillë do të na tregojë se konfliktualiteti radikal midis Ramës dhe Berishës i shërben jo rrëzimit të njërit prej tyre, por mbrojtjes së status quo-së që i mban të dy në politikë.
Logjika është e qartë dhe e kthjellët. Rama është një kryeministër tepër i konsumuar nga skandalet e panumërta dhe pa legjitimitet për të qeverisur. Ai ka sot në burg njerëzit më të afërt me të cilët erdhi në pushtet, të akuzuar për korrupsion nga një drejtësi e re e reformuar. Po kështu, një pjesë e madhe e tyre kanë rezultuar dhe po hetohen për lidhje me krimin e organizuar, ndërsa grupe kriminale janë zbuluar se kanë lidhje me blerjen e votës për llogari të qeverisë. Një pjesë e madhe e akuzave të opozitës mbi korrupsionin dhe lidhjet kriminale të kësaj qeverie, kanë rezultuar të vërteta tashmë mbi bazë hetimesh serioze që, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, po çojnë pas hekurave bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit.
Në këto kushte, qeveria do ishte dërrmuar keq në çdo zgjedhje që do t’i dilte para. Fakti që ajo mbijeton, madje e thellon rezultatin, lidhet vetëm me faktin se ka përballë një opozitë po kaq jolegjitime, me një imazh po kaq të keq dhe bilanc të ngjashëm korrupsioni e keqqeverisjeje në të shkuarën. Këtë shans Ramës mund t’ia japë vetëm Berisha me opozitën e tij gjithashtu të korruptuar dhe, për më tepër, të pareformuar prej dekadash, të përçarë dhe të zhytur në një krizë të thellë, prej së cilës as nuk ka vullnet të shërohet.
Natyrisht, cilido kryeministër të ishte në vend të Edi Ramës, do të investonte fort që ta mbajë këtë opozitë në gjendjen që është. Atij do t’i duhej të mos lejonte asnjë opozitë tjetër ta zëvendësojë, qoftë kjo një parti e re, qoftë një fluks i fuqishëm reformues brenda vetë PD-së. Fati i tij është i lidhur me kundërshtarin dhe ky kundërshtar është e vetmja garanci për pushtetin e tij.
Si mund të bëhet e mundur kjo?
Sigurisht, ligjet, mediat, kodi elektoral janë instrumentet e vrasjes së çdo opozite alternative, por këto nuk mjaftojnë. Teoricienët e konfliktit thonë se, në këto raste, palët e mbajnë veten nëpërmjet polarizimit. Ndonëse palët kanë nevojë jetike për njëra-tjetrën, atyre iu duhet të shfaqen në publik sikur po luftojnë për ta shkatërruar njëra-tjetrën, në mënyrë që publiku të ndahet midis dy alternativave, duke shpërfillur problemet e njërës, për hir të urrejtjes për tjetrën. Për këtë arsye, Ramës dhe Berishës i duhet të shfaqen para publikut si gladiatorë kundër njëri-tjetrit, pasi vetëm kështu, duke e ndarë publikun në dy kampe antagoniste të motivuara nga gogoli respektiv, ata mund ta pengojnë shoqërinë të shkojë drejt alternativave të reja politike. Kështu në zjarrin e retorikës së tyre konfliktuale, ata fshehin konsensusin logjik dhe jetik midis tyre, duke bërë që politika si sferë e veprimtarisë njerëzore që vendos në themel garën për pushtet, të neutralizohet duke prodhuar një situatë post-politike.
Politika si Wrestling
Nga një perspektivë e sociologjisë politike, Ralf Dahrendorf, përfaqësues i teorisë së konfliktit, shikon disa rreziqe në sistemet politike bipartiake, një prej të cilëve është edhe krijimi i një strukture të ngurtë ku dy partitë kryesore kufizojnë konkurrencën duke dominuar në mënyrë që të mos lejojnë asnjë alternativë të re të ofrojë mundësi reale për ndryshime të thella. Këto sisteme krijojnë një klasë politike të konsoliduar, ku dy partitë e mëdha bien në ujdi për të monopolizuar së bashku skenën politike, duke eliminuar çdo alternativë tjetër, çfarë pengon mundësinë për të pasur një demokraci fleksibël dhe një sistem më përfaqësues.
Dahrendorf zbulon se në raste të tilla partitë e mëdha sillen si kundërshtare, por në realitet bashkëpunojnë për ruajtjen e sistemit ekzistues. Konflikti i zhvilluar midis tyre në sytë e publikut bëhet një fasadë që ka për qëllim jo garën reale midis partive apo mbrojtjen e pikëpamjeve dhe parimeve që ato përfaqësojnë, por mbrojtjen e strukturës së pushtetit ku ato bëjnë pjesë. Kompromiset midis partive të mëdha neutralizojnë konfliktin e vërtetë midis tyre dhe për rrjedhojë edhe mundësitë për ndryshim social. Ai e quan këtë “konflikt i simuluar”, i cili ruan iluzionin e pluralizmit, ndërsa ka për qëllim të mbrojë të dyja palët nga forca të treta që kanë mundësi të faktorizohen.
Opozita bëhet kështu pjesë e lojës së pushtetit duke e lënë politikën pa opozitë të vërtetë. Ajo humbet rolin e saj si fuqi transformuese, si dhe funksionet e saj kryesore për ruajtjen e pluralizmit dhe ndryshimin e status quo-së. Pozita dhe opozita bëhen njësoj. Siç thotë studiuesja e teorisë politike Chantal Mouffe: “Në vend që të përfaqësojnë opsione reale politike, partitë kryesore ofrojnë versione të ndryshme të së njëjtës politikë.”
Ashtu si dhe Dahrendorf, Mouffe vlerëson se polarizimi artificial midis forcave politike dominuese bëhet me qëllim për të eliminuar aktorë të rinj në politikë, në mënyrë që palët ta bashkëndajnë mes njëra-tjetrës sistemin. Sistemet bipartiake nuk përballen me kërkesat e reja që shtron koha, por përpiqen të mbyllin rrugët për të penguar këdo që sfidon klasën politike ekzistuese. Ata e realizojnë këtë nëpërmjet një konflikti të rremë që polarizon shoqërinë, por që nga ana tjetër shkatërron çdo alternativë. Zgjedhjet bëhen për pasojë “një ritual pa kuptim dhe polarizimi kthehet në një lojë simbolike për të ruajtur sistemin”. Ato krijojnë iluzionin se janë qytetarët ata që zgjedhin, por në të vërtetë sistemin e kontrollon një grup i vogël aktorësh politikë.
Mouffe e konsideron këtë si një politizim të rremë, i cili pengon ndryshimin nëpërmjet simulimit të një konflikti politik jo real, çfarë bën të mundur ruajtjen e strukturave ekzistuese të pushtetit. Polarizimi këtu nuk përfaqëson më përballjet ideologjike, parimore apo ato të interesave shoqërore, por bëhet një spektakël që synon mobilizimin e pasioneve për t’i kontrolluar ato në funksion të mbrojtjes së sistemit. Polarizimi krijon një ndarje artificiale të shoqërisë që mbetet e angazhuar brenda një teatri të rremë demokratik. Politizimi i rremë bëhet valvlul shkarkimi për frustracionet publike dhe kanalizimin e tyre brenda nevojës së sistemit për mbijetesë. Opozita bëhet këtu pjesë e teatrit, duke mos e bërë dot dallim substancial nga pushteti.
Roland Barthes përdor termin Wrestling si një metaforë për të përshkruar politikën si një shfaqje teatrale për të manipuluar publikun. Wrestling-u sipas tij është një shfaqje sportive që nuk interesohet për rezultatet, por për spektaklin në vetvete. Kundërshtarët aty bëjnë sikur ndeshen, duke gënjyer publikun, i cili përjeton aty emocione arketipale si heroizmi, dhuna, ndjenja e drejtësisë, vuajtja etj. E gjithë kjo ngjason shumë me politikën e cila në mjaft raste është një spektakël i inskenuar me protagonistët e saj, heronj apo armiq, të cilët luajnë teatrin e tyre në funksion të manipulimit të publikut.
I ndikuar nga Barthes, gazetari investigativ Matt Taibbi në librin e tij Hate Inc.: Why Today’s Media Makes Us Despise One Another e rimerr këtë temë duke përfshirë mediat si një ndikues i rëndësishëm në wrestling-un politik. Ai argumenton se, ashtu si në wrestling, mediat ekspozojnë dy palë që luftojnë egërsisht para publikut në mënyrë që të mbajnë audiencën të polarizuar dhe angazhuar. Mediat për të nuk kanë për qëllim informimin, por krijimin e një industrie që prodhon gjendje emocionale tek audienca, për të mundësuar ruajtjen e status quo-së në mënyrë që të pengohet përfshirja e aktorëve të rinj. Ato nuk raportojnë lajme, por krijojnë tifozeri duke i mbërthyer palët rreth partive të tyre nëpërmjet provokimit të urrejtjes për palën tjetër.
Taibbi thotë se protagonistët e dy kampeve ndeshen ashpër në skenë, ndërsa në prapaskenë ata bashkëpunojnë për mbrojtjen e sistemit ku bëjnë pjesë. Ata ndajnë mes tyre rolet përkatëse ku njëri bëhet hero e tjetri armik, role që i këmbejnë mes kampeve. Kështu, nëse për demokratët Berisha është hero ndërsa Rama armik, për socialistët Berisha është armik ndërsa Rama hero. Dhe kështu, kjo lojë e simuluar heronjsh e armiqsh, injekton tek publiku psikologjinë e luftës, për t’i angazhuar ndjekësit në një dialektikë që pengon gjykimin racional e kritik, në mënyrë që të mos lejojë të dëgjohen zërat që kërkojnë ndryshim.
Duke simuluar konfliktin, dy forcat dominuese neutralizojnë njëkohësisht vetë politikën si të tillë. Autorët e konfliktit konsiderojnë se ky maskim i veprimtarisë reale të partive, sjell depolitizimin e shoqërisë. Kjo vjen sepse, sipas Dahrendorf-it, konflikti është element thelbësor i demokracisë pa të cilin nuk kemi politikë e rrjedhimisht as demokraci. Kur konflikti shdërrohet në një betejë mes versioneve të së njëjtës ideologji, - thotë Mouffe, - ai përjashton alternativat që përfaqësojnë interesa të tjera jashtë dy forcave dominuese. Për pasojë, ai thotë se kemi të bëjmë me një konsensus post-politik, i cili i bën alternativat pa dallime reale midis tyre.
Depolitizimi i lojës mes Ramës dhe Berishës
Rama dhe Berisha ndodhen në një situatë të pastër të konfliktit të simuluar. Dallimi nga fenomeni i përgjithshëm është se në rastin e Shqipërisë, kemi një opozitë e cila ka rënë nga rrotacioni, për shkak se nuk ka as mundësi të fitojë. Konflikti politik mes palëve këtu është edhe më jetik, për shkak se, përveç pakënaqësisë së thellë shoqërore ndaj 35 viteve keqqeverisje, situatës i shtohet edhe kërcënimi i SPAK-ut dhe vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për të çuar para drejtësisë aktorë të rëndësishëm të politikës së këtyre viteve. Frika angazhon unitet edhe më të madh dhe, sa më e madhe nevoja për konsensus në prapaskenë, aq më i ashpër dhe spektakolar do të duhet të jetë konflikti fals që palët shfaqin në skenë.
Më i frustruar në këtë lojë duket Berisha të cilit i shtohet edhe presioni i brendshëm që vjen për shkak të paaftësisë për të fituar. Atij i duhet të krijojë e rikrijojë, qep e shqep pëlhurën e një narrative imagjinare mbi komplote ndërkombëtare kundër tij, për të mos mbajtur përgjegjësi për humbjet e thella, si dhe izolimin ndërkombëtar ku gjendet. Në ndeshjen mes tij dhe Ramës, ai ka marrë rolin e keçistit sfidant që çirret e gafurret më fort, por që ha dhe grushtet më të rënda. E ndërsa spektakli i humbjeve sa vjen e rritet, atij i duhet të prodhojë edhe më shumë show duke iu hakërryer arbitrave me qëllim që të mos humbasë edhe ata pak tifozë që i kanë mbetur, të cilët janë edhe kapitali politik i tij i fundit.
Polarizimi midis Ramës dhe Berishës është e vetmja rrugë për pengimin e faktorizimit të aktorëve të rinj politikë të cilët mund të prodhojnë kushtet për ndryshim, por edhe që institucionet e reja të drejtësisë ti kenë duart më të lira për të vepruar. Për këtë arsye, përtej favoreve politike e financiare që palët këmbejnë me njëri-tjetrin (siç janë amnistia për liruar rreth 100 të dënuar nga SPAK-u, shpëtimi i mandatit të Berishës pas një viti mungesë në Parlament, kodi i përbashkët elektoral, njohja nga mazhoranca e grupit parlamentar të Berishës, apo parajsa financiare në një shtet “autokratik” e parë, jo vetëm në fushatat e opozitës, por edhe në shpenzimet marramendëse për lobingje etj.), atyre iu duhet që të shfaqin para publikut zjarrin e rremë të një lufte të egër e të pakompromis.
Kështu, ndërsa Rama e paraqet Berishën si buf i kënetës shqiptare të korrupsionit, destruktivitetit dhe izolimit të vendit, i cili merr peng fatet e shqiptarëve, Berisha e përshkruan atë si një diktator bandit e imoral, i zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar me të cilin mban pushtetin në funksion të një projekti antishqiptar për shpopullimin e vendit. Ndërsa Rama e quan Berishën një lider primitiv e komunist, një “mbetje e diktaturës” apo “jashtëqitje e tranzicionit” njeri pa besë, që nuk njeh dhe respekton asnjë ligj e kanun, që nuk njeh asnjë vlerë përpara etjes së pangopur për pushtet, Berisha e konsideron Ramën si njeri pa moral, pa nder, pa ndjenja humane madje edhe me probleme të shëndetit mendor, i cili, i pushtuar nga veset dhe jeta e shthurur, nuk pyet as për vendin e madje as për familjen e tij.
Nëpërmjet një gjuhe të tillë ata synojnë të polarizojnë klimën politike duke simuluar pikërisht pasionet dhe frustracionet shoqërore në funksion të urrejtjes së ndërsjellë që e mban shoqërinë të ngujuar politikisht në palët respektive. Qëllimi i tyre është që shoqëria të mos e kanalizojë pakënaqësinë kundër sistemit politik, por ta copëzojë atë sipas përkatësive politike, njëra pjesë kundër Berishës, e tjetra kundër Ramës, në mënyrë që publiku të mbesë peng i këtij antagonizmi ku palët vazhdojnë dhe ushqehen nga urrejtja e ndërsjellë.
Nga e gjithë kjo rrjedh që Rama dhe Berisha kanë depolitizuar skenën politike shqiptare. Duke qenë se rivaliteti midis tyre nuk ekziston, për shkak se njëra palë nuk e mund dot tjetrën dhe beteja politike është vetëm një simulim skenik, mjedisi ka mbërritur në një realitet post-politik. Politika mbetet të jetë vetëm ambalazh i dy palëve të bashkuara në interesa të përbashkëta, për të mbajtur skenën vetëm për vete, si e vetmja mënyrë mbijetese pas një tranzicioni të stërgjatë e të lodhshëm.